Loading…

Qosja kritikon ata që kërkuan anulimin e Nobelit për Handke

  • 26/10/2019 | 19:56

Qosja kritikon ata që kërkuan anulimin e Nobelit për Handke

Akademiku Rexhep Qosja, në një shkrim të gjatë kushtuar fituesit të Nobelit, Peter Handke, ka kritikuar të gjithë ata që kërkuan prej Akademisë Norvegjeze t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes, transmeton Gazeta Metro.


Qosja në shkrimin e tij të publikuar në Facebook, ka kritikuar politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, dhe akademitë tona të shkencave dhe të shkencave e të arteve, pasi të njëjtit, sipas tij, kërkuan prej Akademie t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes.

“Duket se politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, e krijuesit e tjerë dhe akademitë e shkencave dhe të shkencave e të arteve të vendeve të tjera kishin punë më të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendeve të tyre e të popujve të tyre sesa të merreshin me Peter Handken gjerë e gjatë. Politikanët, shtetarët, diplomatët e vendeve të tjera si duket u kujdesen të mos e shkelnin një parim të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, të demokracisë moderne: mospërzierjen e tyre politike, shtetërore e policore, në vlerat artistike të krijimtarisë shpirtërore dhe në lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë “, shkruan Qosja.

Ai thotë  tutje se “duke e përkrahur Kryetarin e Jugosllavisë së shkurtuar (Serbia e Mali i Zi) e mandej, kryetar i Serbisë, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, duke pranuar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, duke mbajtur fjalim në varrimin e tij në Serbi, Peter Handke, si qytetar, si intelektual, si shkrimtar e harroi misionin e krijuesit letrar dhe përkrahu dhunën e terrorin e tij, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që bëri regjimi i Millosheviqit, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë. I përkrahu me gojë! I përkrahur me veprimtari politike! I përkrahu si gazetar e publicist”.

Por, thotë Qosja, “i përkrahu pa armë në dorë, i përkrahu ndryshe nga shkrimtari rus i quajtur Limonov, i cili serbët në Bosnjë i përkrahu duke u veshur në uniformë ushtarake e duke u armatosur me kallash”, raporton Koha.net.

“Dhe, kur e bënë këtë kërkesë harruan diçka: harruan çka nuk do të duhej të harronin! Harruan se kjo Akademi nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel shkrimtarit të shquar norvegjez, Knut Hamsun, të cilit ky Çmim i ishte dhënë në vitin 1920, por ai në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte përkrahur me gojë e me dorë nazizmin dhe Hitlerin! Norvegjia e kishte shpallur tradhtar të Kombit, Knut Hamsunin, por, megjithatë, nuk e kishte pushkatuar. Dhe harruan çka nuk do të duhej të harrohej: harruan se Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel për paqe kryeministres së Birmanisë, Aung San Suu Kyi, e cila, jo shumë kohë mbasi iu dha ky Çmim, mori pjesë në vrasjet masive dhe zhvendosjen e dhunshme të myslimanëve Rohinga prej Birmanisë”, potencoi akademik Rexhep Qosja./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë