Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë dalë sot me një deklaratë të përbashkët ku kanë kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vërtetësinë e pronësisë së Manastirit të Deçanit, shkruan Gazeta Metro.
Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Përkundër këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.
“Zbatimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike. Po ashtu, ato janë parakushte për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në deklaratën e përbashkët të shteteve të QUINT’it.
Në deklaratë tutje thuhet se shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të bashkuar në mbështetjen e tyre për të ardhmen demokratike dhe evropiane të Kosovës.
“Prandaj, sërish i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në fund të deklaratës së shteteve të QUINT’it. /gazetametro.net