Qytetarët e Mitrovicës, po vazhdojnë të jenë më të prekurit nga zhvillimet e dialogut Kosovë-Serbi. Çdo vendim që merret në këto bisedime, po del të ketë ndikim edhe në jetët e tyre.
Kështu ka ndodhur edhe kësaj radhe, në projektin që parashihte rivitalizimin e urës. Ndërtimi i një muri që ndan veriun dhe jugun e Mitrovicës, gjatë kohës sa po zhvilloheshin punime për rivitalizimin e urës së Ibrit, ka bërë që reagimi të jetë i madh tek qytetarët mitrovicas.
Madje, disa nga qytetarët po duan të protestojnë, duke parë se kështu mund të arrihet një presion që do të mundësonte heqjen e këtij muri.
Mirëpo, kështu nuk mendojnë të gjithë. Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile në Mitrovicë, ka thënë se presioni duhet drejtuar nga organet e shtetit dhe jo të bëhen veprime që mund të sillnin provokime.
“Ne si qytetar tё kёtij vendi, duhet tё jemi tё matur nga kёto provokime, pasi qё jam i mendimit qё muri nuk do ketё jetёgjatёsi dhe asesi nuk duhet tё zhvillojmё organizime, tё tilla siç janё protestat. Aktualisht, njё presion qytetar ndaj institucioneve tona do tё ishte i mirёseardhur dhe shumё i qëlluar”, ka thënë Peci për Gazetën Metro.
Por, ani pse disa qytetarë janë të gatshëm të protestojnë, sot Qeveria ka ndaluar vazhdimin e punës në këtë mur, duke vendosur vendimin pikërisht në murin që po ndan veriun dhe jugun.
Ndryshe, sot shoqëria civile u bëri thirrje udhëheqësve të institucioneve që të vijnë dhe t’u sqarojnë qytetarëve çështjen e ndërtimit të murit mbi urën e Ibrit./gazetametro.net/