Loading…

“Raca Shqiptare”, monografia e parë antropologjike nga Jakov Milaj

  • 05/04/2021 | 23:00

“Raca Shqiptare”, monografia e parë antropologjike nga Jakov Milaj

E para monografi antropologjike, në të cilën provohet prejardhja e popullit shqiptar në mënyrë shkencore, është “Raca Shqiptare”, e autorit Jakov Milaj. Kur u botua ky libër, më 1944, autori ishte vetëm 31 vjeç, ishte pjesë e elitës intelektuale në Shqipërinë e viteve ‘30-’40, bashkë me Migjenin, Petro Markon, Branko Merxhanin, Andrea Varfin, Mitrush Kutelin dhe Vedat Kokonën. Për mesazhet që sjell “Raca Shqiptare”, tonet patriotike dhe frymën e pastër kombëtare vetë autori shkruan se: “… Nuk ishte antropologjia qëllimi kryesor i librit.


Në atë kohë në Shqipëri flitej për çdo gjë, veç për ndjenjën kombëtare flitej pak. Për këtë libër, prof. Anton Çeta është shprehur, se: “Në Kosovë, ‘Rracën Shqiptare’ e kemi mbajtur si Ungjill”.

Jakov Milaj lindi në 30 Mars 1912 në Fier. Që në shkollë të mesme u angazhua në lëvizjen kulturore, ku për një kohë ishte kryetar i shoqatës kulturore “Besa Shqiptare”. Së bashku me studentë të tjerë ishte nismëtari i organizimit të shoqërisë sportive “Apolonia”, ku u zgjodh për disa vite si kryetar i saj. Pas përfundimit të shkollës së mesme, shërbeu disa kohë si mësues dhe si sekretar i Komunës Kolonjë. Në këtë kohë ai nisi të shkruajë dhe të merret me publicistikë në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit shqiptar si: “Arbëria”, “Përpjekja Shqiptare”, “Gazeta e Tiranës”, “Besa”, “Vatra” etj.

Më 1935, mori pjesë në Kryengritjen e Fierit ku pas dështimit të saj u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë, niset për në Itali, ku vijoi studimet në Universitetin e Torinos për veterinari. Në Torino Milaj ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për t’u kuruar në sanatoriumin e Tore Peliçes. Në takimin e fundit, Millosh Gjergj Nikolla, i besoi atij dorëshkrimin e poemës “Vargjet e Lira”, të cilën Milaj e ruajti dhe e solli në Shqipëri, duke ia dorëzuar së motrës Ollgës.
Me kthimin në Shqipëri nisi punën si veteriner. Më 1943 kreu detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Pyjeve.
Më 1944 botoi librin “Raca Shqiptare”. Më 1945 nën akuzën si kolaboracionist u dënua nga gjykatat me 15 vjet burg. U lirua pas 6 vjetësh dhe pastaj u internua. Më 1956 u vendos në Fier dhe punoi në ndërmarrjen bujqësore “Çlirimi”, derisa doli në pension. Botoi tetë libra mbi blegtorinë, një ndihmë e çmuar në këtë fushë. Vdiq më 2 janar të vitit 1997 në moshën 85-vjeçare.

Njohës i thellë i shumë disiplinave shkencore, Jakov Milaj konsiderohej në gjallje si një “enciklopedi lëvizëse”. Botoi mjaft studime në formë librash, broshurash, artikujsh në revista dhe gazeta, si historian, publicist, eseist, linguist, etnolog, zooteknik, veterinier dhe antropolog. Artikujt e pare ishin nga historia dhe përkthime të marra nga shtypi i huaj, si: artikuj mbi Markonin, Letërsinë Bullgare, Qemal Ataturkun, jetën e Bethovenit, të cilat i përkasin fushës së shqipërimit. Nga publicistika historike përmenden artikuj, si: “Hymni i Flamurit”, “Dom Ndre Mjeda’”, “Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar”, “Dita e Flamurit”, “Vlora në 28 Nëntor”, “Tiparet e Ilirëve”, “Kostandin Kristoforidhi” etj. / DiasporaShqiptare / GazetaMetro

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë