Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, sot ka vizituar në Hagë, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij të UÇK’së që ndodhen atje, shkruan Gazeta Metro.
Në një shkrim në Facebook, Mustafa, ka thënë se sot në Hagë pati një ndër vizitat më emocionale të jetës së tij.
Ai bëri të ditur se ka takuar Hashim Thaçin dhe të gjithë ushtarët e lirisë.
“Sot, në Hagë, pata një ndër vizitat më emocionale të jetës time. Takova Hashim Thaçin. Aty takova të gjithë ushtarët e lirisë, të gjith ishin mirë! Me besimin e pa thyer që shumë shpejt do të jenë pranë nesh, të lirë siç u takon, u çmallëm e folëm gjerë e gjatë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pastër dhe historia e saj nuk mund të rishkruhet nga askush!”, ka shkruar Mustafa.
Thaçi, si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me ish-eprorët e tjerë: Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /gazetametro.net