Loading…

Rama e BE thonë se Mini-shengeni do të vazhdojë, Albin Kurti thotë se nuk ekziston më

  • 10/06/2021 | 15:53

Rama e BE thonë se Mini-shengeni do të vazhdojë, Albin Kurti thotë se nuk ekziston më

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Tiranë, ka thënë se Mini-shengeni është projekt strategjik për rajonin, dhe se ai e shtetet tjera e kanë përkrahjen e Bashkimit Europian (BE’së), për të. Mirëpo ndryshe nga Rama, ka thënë Kurti, i cili tha se nuk ka më Mini-shengen, shkruan Gazeta Metro.


Kryeministri, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria mbetet e palëkundur në qëndrimin se projekti që po njihet si ‘mini-shengen’ është strategjik dhe me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale dhe politike për rajonin.

Këto deklarata ai i bëri në një konferencë të përbashkët për media me komisionerin evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi, pas Samitit të Tiranës, i cili mblodhi në Tiranë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Rama përmendi edhe takimin e 5 korrikut në kuadër të Procesit të Berlinit, për të cilin tha se do të jetë i fundit i atij formati.

“Mbesim të palëkundër në qëndrimin se projekti që njihet si mini-shengen është një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale e politike për rajonin dhe më vjen mirë që sinergjia e këtij visioni me BE-në është e plotë. Ne shpresojmë që procesi i Berlinit të kalojë në duart e Bashkimit Evropian, me dëshirën që takimi i 5 korrikut në kuadër të këtij procesi, të jetë i fundit në formatin e deritanishëm dhe ai i vitit të ardhshëm të bëhet në një format nën kujdesin e Komisionit Evropian, me praninë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së. Kjo është ambicie që e ndajmë plotësisht me komisionerin. Nëse ne bëjmë hapa në drejtim të njëjtësimit të lirive të BE-së, ideja është që këta hapa të na njihen edhe në BE, qoftë në aspektin e tregtisë, të qeverisjes, të të dhënave dhe mundësive” ka thënë Rama.

Tutje, ai përmendi marrëveshjen bilaterale që Shqipëria ka arritur para pak ditësh me Hungarinë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në periudhën post-CoViD.

“Siç e dini, para dy ditësh edhe me Hungarinë, në mënyrë bilaterale kemi rënë dakord për lëvizjen e lirë pa detyrime ekstra, pa teste, histori e gjëra të tilla, vetëm pse nuk jemi anëtarë të BE-së. Sot komisionerit i janë paraqitur kërkesat e të gjitha vendeve të Ballkanit që karta e gjelbër digjitale e qytetarëve të vendeve të rajonit tonë të njihet në gjitha hapësirat dhe të lëvizim lirshëm si qytetarë të BE-së”, ka thënë Rama tutje.

Ndërkaq ndryshe nga Rama, ka folur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili para gazetarëve tha se nisma si Samiti për Ballkanin Perëndimor nuk ka më lidhje me Minishengenin Rajonal.

“Nuk ka më Minishengen, ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden lëshoi këtë javë Urdhrin ekzekutiv, që çdo politikan në Ballkan që nuk respekton marrëveshjet ndërkombëtare dhe që synon destabilizimin e rajonit, do të sanksionohet. Nuk dihet nëse liderët e Ballkanit, do t’i përmbahen kërkesave të Biden. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë