Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” po përballet me rreziqe, duke përmendur vonesat, detyrimet financiare të papërmbushura dhe mosmarrëveshjet institucionale lidhur me organizimin e këtij eventi sportiv, transmeton Gazeta Metro.
Në një konferencë për media, Rama bëri të ditur se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ISMG), përmes një letre të dërguar më 15 tetor, ka ngritur shqetësime për vonesat dhe obligimet që, sipas tij, nuk janë përmbushur. Ai pretendoi se paralajmërimet e mëhershme nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga Qeveria.
Krahas çështjeve financiare, Rama drejtoi akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke pretenduar se kërkesat e tij lidhur me emërtimin e lojërave dhe udhëheqjen e bordit drejtues kanë shkaktuar humbje kohe në përgatitjet për organizimin e tyre.
“Edhe ta bëj edhe një gjë shumë të qartë: dy vjet, dy vjet i kemi humbur sepse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që emri i lojërave mesdhetare të ndryshohet nga Prishtina 2030 në Kosova 2030. Natyrisht, kjo kërkesë nuk është aprovuar, sepse në të gjithë botën lojërat mesdhetare mbajnë emrin e qytetit. Absurditeti tjetër ka qenë kërkesa e tij, apo insistimi i tij, që kryeministri të jetë kryetar i bordit drejtues, një praktikë e paparë faktikisht askund tjetër. Pra, vetëm te ne kryeministri kërkon të jetë edhe kryetar i bordit drejtues i lojërave mesdhetare, derisa natyrisht ka shumë pak kohë, apo hiç kohë, sepse ka punë të tjera më të mëdha për t’u marrë”, tha Rama.
Sa i përket paralajmërimeve të ISMG-së, Rama përmendi mungesën e përgjigjes ndaj letrës së 21 shtatorit, mosdorëzimin e garancisë bankare ose të sigurimit, të kërkuar që nga janari, si dhe mospërmbushjen e detyrimeve financiare që duhej të realizoheshin në qershor./gazetametro.net