Loading…

Tahiri zbulon: Edhe 300 persona do të intervistohen nga Gjykata Speciale, do të ketë edhe arrestime

  • 23/10/2019 | 09:20

Tahiri zbulon: Edhe 300 persona do të intervistohen nga Gjykata Speciale, do të ketë edhe arrestime

Analisti politik, Ramush Tahiri, ka thënë se pritet që Gjykata Speciale të thërret për intervistim së paku 300 persona, në mesin e tyre edhe udhëheqësit më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare, shkruan Gazeta Metro.


Tahiri në një prononcim për EkonomiaOnline, tha se ftesat e dërguara nga kjo gjykatë për pjesëtarë të shumtë të UÇK’së duhet të priten si shumë normale.

“Gjykata është për UÇK-në dhe do të thirren edhe të tjerët, është me prit shumë normale që në proces të gjykatave do të shkojnë së paku 300 veta. Njerëzit frikohen kur thuhet numër i madh ose i vogël, por nëse gjykata e ka emërtimin për pretendimet për krimet e kryera nga UÇK, domethënë merret shtabi i përgjithshëm se është strukturë organizative, komandantët e brigadave, komandantët e policisë, njësitë operative sepse komplet struktura e UÇK-së trajtohet”, ka thënë Tahiri për Ekonomia Online.

Tahiri ka njoftuar se përveç intervistimeve do të ketë edhe arrestime dhe burgosje të të ftuarve pasi që hetimet nuk mund të zhvillohen përderisa të akuzuarit janë të lirë, për shkak të ndikimit të dëshmitarëve të mundshëm.

“Për çdo vrasje që ka ndodhur ose çdo krim në periudhën e caktuar një vjet pas luftës dhe dy vite para luftës është periudha e përcaktuar me ligj dhe ligji është votuar në Kosovë dhe priten edhe arrestimet dhe burgosjet, sepse hetimet nuk mund të zhvillohen në gjendje të lirë për disa raste  për shkak se natyra procedura është ndikimi në dëshmitarë edhe në vetë procesin edhe për shkak të frikës se janë të gatshëm me ju dorëzua gjykatës apo jo.”, ka shtuar Tahiri.

Edhe pse nuk e di nëse një gjë e tillë do të ndodh, Tahiri ka cekur edhe mundësinë për ftesën që mund t’i bëhet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që sipas tij, nëse kjo gjykatë e fton edhe atë, i pari i shtetit duhet të japë dorëheqje nga pozita e tij.

“Përgjegjësia është individuale e secilit, unë mundëm me këshillua por ai është përgjegjës para ligjit para Kushtetutës dhe përgjegjës edhe para popullit. Ai e përcakton a jep dorëheqje a jo, po të isha unë do të kisha dhënë dorëheqje, por ai duhet ta respekton obligimin ligjor. Me ligj secili i dyshuar nuk mund të kryen funksion, jep dorëheqje si të bëhesh i dyshuar, ngritet aktakuza nuk mundesh të kryesh funksion, por duhesh me ju dorëzua institucioneve të drejtësisë. A do të merr ftesë a jo, nuk kam fakte po të kisha do ta kisha quar vet në prokurori që dikush është i përzier në ndonjë krim, sepse krimet ndaj vrasjeve, ndaj jetës, dhunimet nuk vjetrohen asnjëherë dhe secili qytetarë e ka obligim edhe në qoftë se dëgjon për me e qua dhe prokuroria vendos në bazë të fakteve dhe në bazë të punës”, thotë ai.

Tahiri gjithashtu ka thënë se Kosova ka bërë një gabim të madh me miratimin e një gjykate të tillë, pasi që sipas tij, gjykata të tilla themelohen për organizata terroriste dhe lista të zeza që i shpallë Bashkimi Evropian dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara.

“Unë konsideroj që Kosova ka bërë gabimin trashanik kur e ka miratuar një Gjykatë të tillë me një emërim të tillë sepse kjo them ka ndodhur te organizatat terroriste që shpallen jashtë ligjit ose të listat e zeza që i shpallë Bashkimi Evropian, por edhe presidenti i ShBA-ve. Nëse kjo gjykatë është shumë efikase dhe e kryen punën qysh e ka mandatin për 5 vjet nuk kërkon një mandat shtesë atëherë do të del që për luftën në Kosovë më shumë janë të dënuar shqiptarët etnik sesa që do të jenë serbët”, ka përfunduar ai.

Gjykata Speciale vetëm gjatë dy ditëve të fundit ka dërguar dhjetëra ftesa për intervistim ndaj ish’pjestarëve të UÇK’së, dhe pritet që ftesa të tilla të vijnë edhe në ditët në vijim. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë