Trajneri i Manchester United, Ralf Rangnick ka folur sot në konferencën e fundit për shtyp të tij si trajner i ‘Djajve të Kuq’. Ai ka treguar edhe momentin më zhgënjyes që e kishte përjetuar këto muaj tek Manchester United, transmeton Gazeta Metro.
Manchester United do të jenë mysafir të dielën të Crystal Palace në duelin që do të filloj në ora 17:00 e cila do të jetë edhe ndeshja e fundit për këtë sezon.
Para këtij dueli trajneri i përkohshëm, Ralf Rangnick tregoi se prej momentit kur ishin eliminuar nga Atletico Madrid në Ligën e Kampionëve në fazën e 16’të më të mirave, ata kishin humbur besimin dhe energjinë në ekip.
”Mendoj se deri sa u eliminuam nga Atletico Madrid, ne humbëm besimin dhe energjinë në ekip. Deri atëherë e kishim stabilizuar ekipin dhe ishim shumë më të qëndrueshëm në mbrojtje. Që nga Atletico ne thjesht nuk e gjetëm formën tonë përsëri. Ky është zhgënjimi im më i madh që nuk e krijuam atë frymë ekipore e cila ka të bëj me besimin, shpirtin dhe bashkimin e ekipit,” tha Rangnick.
Ndër të tjera gjermani foli edhe për marrëdhëniet që ka me trajnerin e ri të United, Erik Ten Hag për të cilin tha se ka pasur kontakt dhe shpreson se edhe në ditët në vijim do të kontaktojnë përsëri.
”Ne kemi qenë në kontakt, përmes WhatsApp, shpresojmë që të kemi mundësi të takohemi dhe të flasim personalisht në fundjavë ose të hënën në mëngjes më së voni. Mezi pres të flas me të dhe ta njoh personalit,” deklaroi 63-vjeçari.
Manchester United i duhet medoemos fitorja ndaj Crystal Palace të dielën si mysafir pasi që në rast të një rezultati tjetër mund ta humbas edhe pozitën e gjashtë e cila e dërgon në Europa League sezonin e ardhshëm. Por, duhet të shikohet edhe nëse West Ham mposht Brightonin. /gazetametro.net