Loading…

Raport ndërkombëtar: Rreziqet si ‘alarm i kuq’ për Qeverinë e ardhshme

  • 06/06/2017 | 17:32

Raport ndërkombëtar: Rreziqet si ‘alarm i kuq’ për Qeverinë e ardhshme

Këto ditë mediat prestigjioze ndërkombëtare raportuan për rrezikun që i kanoset shteteve të Ballkanit prej shtrirjes së ndikimit rus, përfshirë këtu edhe Kosovën.


Lajmi.net ka siguruar një raport ndërkombëtar, ku përshkruhen këto rreziqe që i kanosen Kosovës në mënyrë konkrete, derisa veriu i Mitrovicës aty shihet si vatër kryesore për destabilizimin e vendit.

Në një të ardhme të afërt, sipas këtij raporti, Kosova pritet të ballafaqohet me rreziqe që kërcënojnë interesat nacionale të saj dhe interesat e shteteve mbështetëse, veçanërisht SHBA-së si rivale kryesore e Rusisë.

Si argumente që janë përfshirë aty janë kërcënimet që i vijnë Kosovës kryesisht prej shërbimeve të huaja, ku përpjekjet për destabilizimin institucional dhe nxitjet e konflikteve etnike vlerësohen si “alarm i kuq” për Kosovën. Mirëpo, e efektshme dhe me ndikim të dëmshëm për Kosovën, sidomos në raport me vendet e tjera, përshkruhet edhe propaganda përmes masmediave dhe rrjetit të agjenturave armike për Shqipërinë e Madhe.

Në këtë raport ndërkombëtar, me rrezik për Kosovën shihet edhe bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet shërbimit rus FSB, me BIA-n serbe dhe DSK-në maqedonase, ku merret si shembull konkret edhe joshja e disa pjesëtarëve të grupit kosovarë, që ishte i përfshirë në rastin “Kumanova 2015”.

Në këtë rast, sipas këtij raporti, destabilizimi i Maqedonisë është në interes të Rusisë dhe mund të rriten presionet e saj që ky shtet të mos bëjë kërkesë për anëtarësim në NATO.

Kurse, duke përshkruar aktivitetet e shërbimeve të huaja për destabilizimin e Kosovës, aty thuhet se të rrezikshme janë edhe investimet e drejtpërdrejta të zyrës ruse në veriun e Kosovës, konkretisht në Kodrën e Diellit.

“Përmes organizatave joqeveritare, mediave dhe mbështetjes së radikalëve serbë ne veri, shërbimet ruse po e nxisin komunitetin serb që të sillet në përputhje me interesat e shërbimeve sekrete të tyre”, thuhet në raportin e siguruar nga lajmi.net.

Aty thuhet se Serbia ka instaluar struktura të sigurisë në veriun e Kosovës, me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon sovranitetin e Kosovës, zbatimin e ligjit, zhvillimin ekonomik, duke kontribuar kështu në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për krime të organizuara dhe aktivitete ilegale atje.

 

Gjithashtu, në këtë raport si rrezik që i kanoset Kosovës nga Maqedonia është edhe destabilizimi përmes dhënies së shtetësisë maqedonase qytetarëve të Kosovës, përkatësisht komunitetit goran dhe tërbesh, si dhe përmes rritjes së ekstremizmit islam.

Sipas këtij raporti ndërkombëtar, nuk mund të ketë përhapje të ekstremizmit politik dhe religjioz në Kosovë pa asistencë të shërbimeve përtej kufijve të Kosovës.

Si rrezik aty përshkruhet edhe edhe terrorizmi ndërkombëtar dhe krimi kibernetik.

Pozita gjeografike dhe orientimi euroatlantik, sipas raportit, e bën Kosovën të prekshme nga terrorizmi ndërkombëtar.

Grupet ekstremiste të udhëhequra nga agjendat politike dhe religjioze, thuhet se janë mirë të shtrira në Kosovë dhe mjaft mobile.

“Kosova është duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët e saj që të frenojë terrorizmin ndërkombëtar dhe aktivitetet e tyre në regjion. Sulmet kibernetike mund të shkaktojnë dëmtime kritike në administratën publike, ekonomi dhe infrastrukturë. Sulmet kibernetike mund të jenë agjenda politike apo kriminale dhe shfaqin rrezik në sigurinë, stabilitetin dhe funksionimin si shtet”, thuhet në këtë raport.

Gjithashtu, si rreziqe të mundshme shihen edhe fatkeqësitë natyrore, teknologjike dhe të tjera.

Fatkeqësitë natyrore dhe teknologjike, si të paparashikueshme, thuhet se rrezikojnë kushtet e jetesës së qytetarëve dhe paraqesin rrezik për përballimin e institucioneve të Kosovës për të siguruar kushtet bazike për qytetarët, duke ruajtur sigurinë e shtetit.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë