Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, nuk e ka ndërmend që të raportojë para ndonjë komisioni të Kuvendit lidhur me rastin “Dehari”.
Madje, nëse një ftesë e tillë do t’i bëhej Hoxhës atëherë kjo do të ishte e kundërligjshme.
Kontaktuar nga Gazeta Express, Sylë Hoxha ka thënë se prokuroria e shtetit është institucion i pavarur, andaj si e tillë nuk obligohet që të raportoj në komisione të Kuvendit.
“Ne jemi institucion i pavarur. Ne nuk raportojmë. Me ligj ne nuk jemi të obliguar që të raportojmë. Kjo është ndikim i politikës në pavarësi. Njerëzit po thonë hetim të pavarur. Ne jemi të pavarur. Mjerë ne që nuk i njohim e as nuk i respektojmë institucionet tona”, ka thënë Hoxha.
Ai thotë se prokuroria të gjitha hetimet rreth këtij rasti i ka bërë publike gjatë konferencës për media të mbajtur të premten pas publikimit të autopsisë për Astrit Deharin.
“Unë çka do që kam pas për raportim e kam bërë atë ditë në konferencën për gazetarë. Kërkesa e opozitës që ne të raportojmë në Kuvend është e habitshme, paargumentuar si dhe kundërligjore. Kodi nuk e parasheh që ne të raportojmë në komisione të ndryshme të parlamentit”, ka thënë Hoxha.
Ndërkohë që gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete ishte paraparë që të diskutohej rreth festës që kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, që Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhaj dhe ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, të raportojnë para komisionit në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Mbledhja ka përfunduar për shkak të tensioneve në mes të deputetit të LDK-së Armend Zemaj dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Astrit Dehari kishte ndërruar jetë gjatë transportimit prej paraburgimit për në Spitalin e Prizrenit ku ishte duke u mbajtur si i dyshuar për sulm terrorist ndaj Parlamentit. Rezultatet e autopsisë të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë kanë konstatuar se Dehari kishte vdekur nga lëndimet e vetshkaktuara.