Pas raportimeve se Serbia do të nisë një tren nga Beogradi për në pjesën veriore të Mitrovicës, ka reaguar kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi.
Përmes rrjetit social Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo është edhe një tjetër dëshmi për dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës.
“Marrëveshjet e Thaçit e të Mustafës, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë?! Shikoni ku përfunduan?! Përfunduan në kthimin e Serbisë në Kosovë!” ka thënë Krasniqi.
Ai thekson se marrëveshjet e Thaçit e të Mustafës, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përfunduan në kthimin e Serbisë në Kosovë.
“Qytetarët duhet te shikojnë se çka prodhuan, marrëveshja e 19 prillit 2013 dhe ajo e 25 gushtit 2015! Për marrëveshjen e 19 prillit deputetëve ju pata thënë: Kjo marrëveshje kështu si është, është e pa përfunduar dhe nuk kemi mundësi të dimë se çka po votojmë! Megjithatë marrëveshja i mori mbi 85 vota?! Nuk e di sesi ndihen sot, ata që e votuan! Nuk besoj që duhet ndonjë dëshmi tjetër, për dorëheqjen e kësaj Qeverie?!” ka shkruar Krasniqi./gazetametro.net