Loading…

Reagon Presidenti Thaçi: Askush nuk po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për aksione spektakolare

  • 25/09/2020 | 19:17

Reagon Presidenti Thaçi: Askush nuk po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për aksione spektakolare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas aksionit të hetuesëve të Gjykatës Speciale duke thënë se askush nuk po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për ekspedita dhe aksione spektakolare, shkruan Gazeta Metro.


Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe gjithë bota pret që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve se UÇK-ja ka kryer krime.

“Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Presidentit,

Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës

Qytetarët e Kosovës dhe tërë bota presin që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve monstruoze, siç janë insinuatat për “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja” apo për “Shtëpinë e verdhë”, në emër të të cilave ne ishim të detyruar që t’i themelojmë Dhomat e Specializuara.

Siç tregon historia, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë lëvizje vullnetare, pjesë e rezistencës civile dhe angazhimit për liri e pavarësi në Kosovë dhe si e tillë është njohur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ishte edhe shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare. Duke filluar me gjykatat e UNMIK-ut, Tribunalin për Ish-Jugosllavinë në Hagë, EULEX-in, gjykatat vendore dhe tani me nivelin e 5-të të drejtësisë në Kosovën e pasluftës, Dhomat e Specializuara. Asnjë i intervistuar apo i akuzuar nuk i ka ikur përgjegjësisë që t’u përgjigjet autoriteteve kompetente të drejtësisë.

E theksoj se rrjedhja e dokumenteve ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë. Publikimi i këtyre dokumenteve ka qenë i papranueshëm.

Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë.

Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve.

Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet.

E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik.

Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë