Loading…

Reagon VV: Thaçi është baba i “Zajednicës” dhe jo kundërshtar i saj

  • 16/09/2020 | 22:37

Reagon VV: Thaçi është baba i “Zajednicës” dhe  jo kundërshtar i saj

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratave të Presidentit të vendit Hashim Thaçi, në lidhje me formimin e Asocacionit të Komunave Serbe në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.


Vetëvendosje e ka quajtur pafytyrësi të presidentit Hashim Thaçin vlerësimin që ia bëri ai si të rrezikshme e të dëmshme idesë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të diskutohet me Serbinë në Bruksel të enjten.

Kjo parti ka kërkuar nga Thaçi që para se të paraqesë Asociacionin si rrezik të japë përgjegjësi për marrëveshjet e mëhershme.

“Nëse ‘Zajednica paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ‘Zajednicës’ që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ‘Zajednicën’ e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”, ka thënë VV-ja në reagimin e saj.

Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si shtirje të Thaçit “vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike”. Kjo parti ka thënë se edhe kundërshtia mes presidentit dhe kryeministrit është e rreme.

“Ky reagim i Presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi që përpiqet të simulojë opozitarizmin. Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është President? Ai vetë, në cilësinë e Kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ‘Zajdenicës’, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare. Kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje, është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë. Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ‘Zajednica’ është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot bëjnë thërrasin kundër Zajednicës që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret ‘kapeni hajnin’”, thuhet tutje në reagimin e VV-së.

VV-ja në fund e ka quajtur të dëmshme dhe të papranueshme Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, sipas saj, “Hashim Thaçi është baba i ‘Zajednicës’ e jo kundërshtari i saj”.

Kujtojmë sot gjatë ditës, presidenca kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht të votojë një rezolutë që ia ndalon kryeministrit Avdullah Hoti negocimin e çështjeve të brendshme të Kosovës dhe temave që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror. Përmes një komunikate për media, Thaçi hapjen e temës së Asociacionit e ka konsideruar gabim të madh e shumë të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës.//gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë