Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, ka thënë se kjo ministri po punon në rritjen e sigurisë në vendin e punës, ndonëse thotë se situata nuk është ashtu siç ai do të dëshironte.
“Ju them shumë me përgjegjësi se nga dita e parë kur e kam marrë mandatin e deri në këtë moment kam analizuar me përkushtim shumë të lartë që jam marrë me këtë dukuri – me sigurinë dhe shëndetin e punonjësit në vendin e punës”, ka thënë ai.
“Me ju thënë të drejtën, situata nuk është në nivelin ku unë do të dëshiroja”.
Megjithatë, ai ka thënë se kjo ministri ka punuar në marrjen e masave të sigurisë në punë, duke përmendur edhe rregulloret që i kanë nxjerrë.
“Ne kemi punuar mjaft, po të shikohet nga 2017-2018, si ministri kemi marrë një varg masash që kanë të bëjnë me ngritjen e sigurisë dhe shëndetin në vendin e punës të punonjësve”.
“Gjjitha rregulloret që i kemi marrë, përmes mekanizmave në këtë rast Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht të inspektoratit të punës, jemi duke monitoruar në terren zbatimin e tyre në praktikë”.
“Shkalla e zbatimit të tyre është në ngritje çdo ditë”.
Për më tepër, ministri përmendi krijimin e një kampanje për sensibilizimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve, ndërkaq pohoi se në vizitat që i ka bërë nëpër punishte, ka hasur në mirëkuptim nga ana e punëdhënësve për gatishmërinë e tyre në zbatimin e atyre rregullave.
“E mira më e madhe materiale për një familje është nëse familjari i tyre del në mëngjes për të shkuar në punë dhe kthehet shëndosh e mirë në mbrëmje”, tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Po përpiqemi që të krijojmë mekanizma dhe të ngritim sigurinë në vendin e punës”, tha ai, duke njoftuar se vitin e ardhshëm pritet që numri i inspektorëve të rritet.