Çdo shoqëri demokratike e stimulon lirinë e mendimit të lirë si dhe liria e të shprehurit është një ndër themelet kryesore të një shoqërie demokratike. Idetë demokratike janë pjesë e përditshmërisë si dhe pluralizmi i ideve është një motor që zhvillon dhe çon shoqërinë përpara, pra konkurrenca e mendimeve të lira politike zbërthehet me vota në parlamentin kosovar.
Shkruan: Genc Limani
Është më se normale që akterët e ndryshëm politik të konkurrojnë ndërmjet veti me ide të ndryshme si politike ashtu edhe ekonomike për të mbledhur sa më shumë vota në mënyrë që ta krijojnë qeverinë dhe të udhëheqin me vendin.
Një problem që shoqëria kosovare po përballet është korrupsioni. Mirëpo ky fenomen është thuaja se natyral në shoqëritë e porsalindura demokratike. Mungesa e përvojës demokratike si dhe qasja e akterëve politik
në ekonominë është e lehtë dhe kjo rezulton në përvetësimin ekonomisë së përbashkët shoqërore. Problemi që korrupsioni krijon është mosbesimi i shoqërisë në akteret politik. Pra korrupsioni në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në mosbesimin si dhe në ligështimin e institucioneve demokratike shtetërore.
Më lartë ceka se shoqëritë e porsalindura demokratike përballen si me korrupsion ashtu edhe në mosbesim ndaj institucioneve shtetërore mirëpo me kohë që nënkupton me zhvillimin e parimeve demokratike tejkalohet
korrupsioni si dhe mosbesimi ndaj institucioneve shtetërore.
A është pushteti majtist mënyra më e mirë e luftimit të korrupsionit? Unë jam i mendimit se majtistet do ta shkatërronin shoqërinë demokratike kosovare, krejt këtë në emër të luftimit të korrupsionit. Majtistët po e përdorin mjetin themelor demokratik, lirinë e shprehjes, për të krijuar opinione korruptive ndaj kundërshtarëve politik. Ardhja e majtistëve në pushtet do ta qonte shoqërinë demokratike kosovare në humnerë të pakthyeshme.
Shtrohet pyetja se pse?
Nëse vendos ta marrësh pushtetin përmes votës së lirë demokratike mirëpo në esencë nuk dëshiron bashkëjetesë me
kundërshtarët politik, por dëshiron pushtet të plotë atëherë kjo gjë aludon në elitizëm politik si dhe në diktaturë. Mundësitë e zhvillimit ekonomik si dhe social minimizohen për masën e madhe kosovare, pra nëse nuk i takon
elitës atëherë nuk ke drejt në jetën ekonomike dhe politike. Shfrytëzimi i varfërisë si dhe mllefosjes së shoqërisë kosovare që kanë për personat e korruptuar nga ana e majtistëve për ta marrë pushtetin është simbol që tregon perfiditetin politik për marrjen e pushtetit dhe asgjë tjetër! Varfëria luftohet me investime kapitale ekonomike, duke i josh investitorët e huaj me një pasqyre të tolerancës ndaj njeri-tjetrit gjë që nënkupton besim për investitorët e huaj.
Nëse nisemi prej asaj se korrupsioni si problem nuk është i ndërlidhur me ndonjë parti të caktuar politike por është i ndërlidhur me individ apo pjesëtar të shoqërisë kosovare, atëherë gjasat apo probabiliteti se korrupsioni do të vazhdon edhe me një pushtet majtist janë shumë të mëdha. Ajo çka do të ndodh në rast se majtistët marrin pushtetin është se toleranca e kritikës ndaj korrupsionit do të minimizohet. Të korruptuarit majtistë do ta ndërlidhin kritiken me tradhti kombëtare apo ashtu diçka vetëm sa për ta kufizuar lirinë e shprehjes!
Nëse nuk investohet në shkollim si dhe në rritjen e vetëdijes dhe kulturës shtetërore në shoqërinë kosovare atëherë korrupsioni vështirë se do të zhduket. Korrupsioni nuk njeh ngjyra politike, racore apo etnike, nuk merr frym dhe nuk voton për askënd. Korrupsioni ekziston gjersa vetëdija dhe morali i shoqërisë kosovare e toleron. Është më se e rëndësishme që të investohet në forcimin e institucioneve ligjore, organe që kontrollojnë akterët politik në menaxhimin e ekonomisë shoqërore. Janë institucionet ligjore ato që luftojnë dhe e sanksionojnë korrupsionin e jo fjalimet e zjarrta e të ngjyrosura politike.
Vaksina kundër korrupsionit sipas mendimit tim nuk është pushteti majtistë por investime në shkollim, modernizim si dhe besueshmëri ndaj njeri-tjetrit.
(Genc Limani është opinionist nga Diaspora)