Loading…

Refuzuan me dyshime garancën e saj: Avokati i Veselit ua fakton gjykatësve një nga një aftësitë e Policisë së Kosovës

  • 12/05/2021 | 13:35

Refuzuan me dyshime garancën e saj: Avokati i Veselit ua fakton gjykatësve një nga një aftësitë e Policisë së Kosovës

Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale ka dorëuzar para dy ditësh një shkresë tjetër në lidhje me kërkesën e tij të refuzuar nga Apeli për mbrojtjen në liri të klientit të tij. Aty, Emmerson i ka kundërshtuar disa nga argumentimet që i ka dhënë Zyra e Prokurorit të Specializuar, si dhe ka evidentuar gabime në cilësimin e rrethanave nga gjyqtari i Procedurës Paraprake.


Një shkresë e Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit në Hagë është dërguar më 10 maj në Dhomat e Posaçme të Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale. Emmerson aty përmend faktin se Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka shprehur dyshimet e tij mbi aftësitë e Policisë së Kosovës për të monitoruar kushtet e lirimit të mundshëm të Kadri Veselit, duke i kundërshtuar argumentet e dhëna nga ai, shkruan lajmi.net.

“Pamundësia e supozuar e monitorimit të komunikimit të Z. Veseli nga Policia e Kosovës ishte arsyeja e vetme që ai dalloi midis rrezikut të fluturimit (i cili mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet) dhe rrezikut të ndërhyrjes në drejtësi”, thuhet në parashtresën e Emmerson.

E një qasje e tillë e gjykatësit ka shkaktuar edhe reagimin e ashpër të avokatit Emmerson, i cili këtë konstatim e cilëson të pakuptimtë.

Kjo për faktin sepse sipas Emmerson, ky paragraf i lëshuar nga Gjykatësi Paraprak, nuk ka asnjë vlerësim për paaftësinë e Policisë për të zbatuar kufizimet në komunikim, që ishin arsyeja parësore pse Paneli i Gjykatës së Apelit, me rekomandim të atij paraprak, refuzoi garancën e dhënë nga Policia e Kosovës.

“Prandaj është e qartë përtej dyshimit se ky ishte faktori vendimtar në vendimin e tij përfundimtar, domethënë që rreziku që ai e kishte identifikuar si “kritik” nuk mund të zbutet në mënyrë adekuate me arrest shtëpiak në Kosovë, madje edhe i mbikëqyrur dhe zbatuar nga Policia e Kosovës. Ai vazhdoi të zbulonte se ky rrezik i komunikimeve private nuk mund të zbutet nga “ndonjë kufizim shtesë i vendosur nga Gjykatësi Vendimtar i Procedurës Paraprake” sepse nuk kishte asnjë mënyrë me të cilën kufizimet në komunikimet private mund të “zbatoheshin ose monitoroheshin”. Nuk ka asnjë mënyrë të mundshme për të lexuar ose interpretuar atë paragraf që nuk përfshin një vlerësim të nënkuptuar nga Gjykatësi për paaftësinë e Policisë së Kosovës për të “zbatuar ose monitoruar” kufizimet në komunikim”,  ka thënë tutje avokati Emmerson.

Tutje, Emmerson ka thënë se Gjyqtari i Procedurës Paraprake nuk e kishte asnjë të drejtë, duke mos pasur bazë provuese të arrinte në përfundime të tilla në lidhje me aftësitë e Policisë së Kosovës.

Në këtë kontekst, Emmerson ka ftuar edhe njëherë gjyqtarët e Apelit që të lexojnë me vëmendje deklaratat e dëshmitarëve të përfshirë në kërkesën për lirim me kusht të Kadri Veselit, shkruan tutje lajmi.net.

“Nuk kishte absolutisht asnjë bazë provuese që i jepte të drejtë Gjyqtarit për të arritur në këtë përfundim. Shtojca 1 e Përgjigjes së Mbrojtjes së Veselit në parashtresën e ZPS-së mbi lirimin paragjyqësor përmbante një deklaratë të Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi,i cili i bashkëngjiti një siguri me shkrim nga Shefi i Shërbimit Policor të Kosovës. Dhoma e Apelit ftohet të lexojë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të bashkangjitura në atë dosje sepse ato janë thelbësore për bazat e apelit të Veselit”, thuhet tutje në deklaratë.

Avokati i Veselit tutje në argumentimin e tij ia ka përmendur Dhomave të Apelit aftësitë e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e afërt të diplomatëve, të ekstraduarve, ata me rrezik të lartë, operacione anti-terroriste, arrestimin e të dyshuarve me rrezik të lartë dhe operacione tjera në kuadër të zbatimit të ligjit.

Garanca që u injorua nga Apeli: Pse po dyshon Specialja në aftësitë e Policisë së Kosovës?

“Njësitë e Specializuara të Divizionit (“DSU”) kanë një sërë funksionesh policore përfshirë mbrojtjen e ngushtë të VIP-ave dhe mbrojtjen diplomatike; shoqërimin e delegacioneve ndërkombëtare; përcjellja e të dyshuarve për ekstradim (përfshirë të dyshuarit me rrezik të lartë); operacione anti-terroriste; arrestimi i të dyshuarve me rrezik të lartë; dhe ndërlidhja me entet e tjera të zbatimit të ligjit, përfshirë EULEX-in dhe DSK-në. Njësitë elitare përfshijnë Njësinë Speciale të Ndërhyrjes dhe Njësinë e Operacioneve Speciale. SHPK-ja gjithashtu ka një njësi të mbrojtjes së ngushtë. SHPK-ja ka ndihmuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar në një numër operacionesh në Kosovë dhe ata e konsiderojnë atë si pjesë të detyrimeve të tyre profesionale për të ndihmuar dhe mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës DSK”, përmend tutje Emmerson.

Mirëpo këtu nuk përfundon me kaq. Emmerson e ka quajtur të paimagjinueshëm veprimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kur sugjeroi se këto procedura apeli ishin të hapura për Gjyqtarin e Procedurës Paraprake që ai të bazonte vendimin e tij në supozimin për paaftësitë e Policisë së Kosovës.

Bazuar në anekset e bashkëngjitura në kërkesën për lirimin e Veselit, Emmerson ka thënë se provat para Gjykatësit Paraprak ishin nga dëshmitarë mbresëlënës  dhe të padiskutueshëm të cilët ishin të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje.

“Është, me me gjithë respektin, plotësisht joreale që SPO të sugjerojë në këto procedura apelimi se ishte e hapur për Gjyqtarin e Procedurës paraprake që të bazonte vendimin e tij (siç bëri ai pa dyshim) në supozimin se Shërbimi Policor i Kosovës nuk mund të “kufizonte aftësinë e Veselit për të komunikuar, përmes çdo mjeti jopublik, me komunitetin e tij ose rrjetin mbështetës”sepse kushtet që ndalojnë komunikimin personalisht ose me mjete elektronike” nuk mund të zbatohen dhe as të monitorohen”. Provat para tij ishin nga dëshmitarë mbresëlënës dhe të padiskutueshëm të cilët ishin në një pozitë unike për t’iu përgjigjur çdo pyetje në lidhje me kapacitetin e Policisë së Kosovës për të monitoruar komunikimin elektronik, për të zbatuar një ndalim të hyrjes në internet dhe për të kufizuar vizitorët tek ata që ishin para aprovuar. Provat e këtyre dy dëshmitarëve(Drejtori i Policisë dhe ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi) pohuan në kuptimin që Policia e Kosovës kishte kapacitetin për të zbatuar çdo kusht që DSK-ja mund të vendoste”, thuhet në argumentimin e Emmerson.

Ndryshe, Dhomat e Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale para ca ditësh refuzuan kërkesat e avokatëve mbrojtës për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Këtij vendimi i kishte paraprirë një tjetër refuzim i bërë nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake, i cili është akuzuar nga pala mbrojtëse se nuk ka marrë për bazë garancitë e dhëna nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës për mbrojtjen në liri të Kadri Veselit.

Çështja e garancisë është tematizuar shumë kohëve të fundit, teksa janë rritur edhe zërat se shtete të fuqishme kanë shprehur gatishmëri për të dalë garant për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë