Loading…

Rekomandimet për lexim të një kryeredaktoreje dhe një dramaturgu shqiptar

  • 23/10/2020 | 23:07

Rekomandimet për lexim të një kryeredaktoreje dhe një dramaturgu shqiptar

Aida Baro është kryeredaktore e botimeve Pegi dhe përkthyese e letërsisë në Tiranë. Jeton Neziraj është njëri prej personaliteteve më të njohura kulturore në Kosovë, e mjaft i njohur si dramaturg edhe në botën e jashtme. Në serinë e sugjerimeve për lexim të rubrikës Metro Libri, Neziraj dhe Baro për lexuesit e tyre dhe lexuesit e Gazetës Metro, sugjeruan këta tituj.


Ne po i sjellim prapë sugjerimet e tyre, por këtë herë së bashku, për t’u shijuar nga lexuesit tanë.

Rekomandimet e Aida Baros

“Portret grupi me një zonjë” i shkrimtarit gjerman Heinrich Böll, fitues i çmimit “Nobel” më 1972.

Romani vjen si një mozaik personazhesh, të cilat duke rrëfyer secili historinë e vet, krijojnë tablonë e madhe të Gjermanisë gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Dhe jo të asaj Gjermanie, që njohim nga jashtë, as atë romantiken e Remarkut, por të një populli në kushte mbijetese. Është një portret besnik i Gjermanisë mes viteve 1930 – 1970. Duke u nisur nga jeta e një gruaje, Leni Pfajferit, që “s’e kupton botën”, Böll-i rindërton një qytet që pëson një metamorfozë të çuditshme nga regjimi në regjim. Një roman kompleks, herë koral, herë hetues, ku Böll-i rendit një sërë temash: denoncimin e luftës dhe vetë Gjermaninë naziste, kampet e përqendrimit, falsitetin e kishës dhe priftërinjve, mendjengushtësinë e njerëzve, shpërfilljen e tyre para ngjarjeve të mëdha etj. Ironia e thellë, grotesku, sarkazma, naiviteti në dukje janë disa prej veçorive të stilit të autorit, të cilat i japin romanit një freski të çdokohshme.

Kazuo Ishiguro është një tjetër shkrimtar që më ka kapur gafil për stilin dhe tematikat që trajton. Dy prej romaneve të tij “Artist i botës fluturake” dhe “Dita e mbetur” nuk di t’i ndaj, megjithëse temat, mjedisi dhe subjektet janë krejt të ndryshme.

“Dita e mbetur”, romani i pengjeve, siç e quaj unë, është një rrëfim i gjatë i një maxhordomi anglez, i përkushtuar ndaj detyrës dhe punës së tij për t’i shërbyer besnikërisht padronit të vet, pavarësisht se cili është ai. Është një roman i shtruar, që shumë njerëz e konsiderojnë të mërzitshëm, por stili i Ishiguro-s është i tillë që personazhi na tregon vetëm për gjërat sipërfaqësore, por në të vërtetë, jeta e tij rrjedh diku nëndheshëm krejt ndryshe. Teksa maxhordomi Stiven ndërmerr një udhëtim për të takuar ish-kolegen e tij, guvernanten Miss Kenton, për të cilën dikur pat ushqyer një ndjenjë të fshehtë dhe të shtypur për shkak të detyrës, rikujton gjithë periudhat e jetës së vet, ku del në pah që në të vërtetë një jetë të tijën nuk e ka pasur kurrë. Ndjenjat e fajit, pengjet fillojnë të buisin, por sërish ai përpiqet t’i shtypë, të përligjet e të gënjejë veten se shumë gjëra nuk kanë qenë në dorë të tij. Por fundja, a e kemi çdo gjë në dorë ne? Sa të sinqertë jemi me veten? Sa i përligjim veprimet tona? Dhe në fund, ajo ditë e mbetur, ajo jetë e mbetur a mund të na japë paqen me veten? Duket sikur maxhordomi Stiven e arrin këtë, ose të paktën, arrin të falë veten për jetën e pajetuar, kur aty në breg të liqenit, teksa perëndon dielli, rreket të shijojë shkëndijat e fundit të ditës.

Fshehja pas gishtit, vetëgenjimi është një veçori që sidomos në romanin “Artist i botës fluturake”, Ishiguro e ka kthyer në art. Së pari, ne i bëjmë hesapet me ndërgjegjen tonë, por sa të bindur jemi që po i rrëfejmë të vërtetën? Bëjmë jetë të dyfishtë brenda vetes, duke përligjur veprime, fjalë, mendime, ide pa qenë të zotë të përballemi me të vërtetën. Kemi frikë apo nuk duam të zhvishemi përballë vetes askush nuk e di, por preferojmë të jetojmë në këto kushte. Dhe pak a shumë këtë gjë mendon Masuxhi Ono, piktor tashmë në pension, në Japoninë e pas Luftës së Dytë Botërore. Dy janë temat kryesore të këtij libri, pazgjidhshmërisht të lidhura brenda individit: përballja me veten dhe roli i artistit në kohëra të trazuara. Cili është qëllimi i artistit, të bëjë art për hir të artit, të ndjekë botën e tij shqisore, efemere, fluturake, apo artin e tij ta vërë në funksion të një ideje më të madhe? Po sikur kjo ide të dalë e gabuar? A duhet të bëjë artisti mea culpa apo duhet të ndjekë idenë e vet, i bindur që ka zgjedhur krahun e duhur? Druaj se secili nxjerr përfundimet e veta prej këtij libri. Them se është një roman që i shkon në thelb shoqërisë së sotme shqiptare.

“Pa heronj, pa bujë” i shkrimtarit kosovar Ndriçim Ademaj, për shumë prej lexuesve është një zbulesë për luftën e Kosovës, gjatë vitit ’99, parë tashmë nga brenda një shtëpie, me sytë e një fëmije që ka përjetuar në vetë të parë terrorin psikologjik, dhunën, frikën, tmerrin e së panjohurës, dëmet psikologjike që lë pas në mendjen e një të rrituri tashmë, shpresën e humbur dhe të rigjetur, e të humbur sërish në trazirat e jetës.

Djaloshi Xhim-Nim i gjendur në një shtrat spitali, zë e rikujton gjithë jetën e tij në një retrospektivë aspak nostalgjike e të ëmbël, por thuajse me një dorëheqje nga jeta, me një dorëzim dhe cinizëm të zbrazur nga çdo shpresë. Rikujton jetën rrugëve të Gjenevës si emigrant pa emër e pa strehë, përpëlitjet e përditshme për mbijetesë, për pak dashuri, për pak ngrohtësi njerëzore, dhe hidhet deri në kujtimet e trishta të fëmijërisë ngjyrëzymtë, mall për nënën e pafuqishme, mllef për të atin e dhunshëm, pasiguri e frikë nga e panjohura e luftës që troket në derë. Nuk ka gjak në rrëfimet e tij të luftës, por ankthi është mbytës, i gjithëpranishëm, sa duket se gjithçka do të kthehet sërish në “kohën zero” aty ku zuri fill. Dhe shpresa mbetet sërish e pranishme, qoftë edhe një fije.

“Gurët e vetmisë” i shkrimtarit shqiptar Tom Kuka (alias Enkel Demi) është thuajse një poemë epike, një blatim dashurie për tokën e Çamërisë, i përshkuar nga një shqipe e largët dhe e mjaltë. 

Gjithçka sillet rreth masakrës së Paramithisë, kryer nga grekët, ku 72 burra u thirrën në një kuvend, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. Në një ecejake mes botës sonë dhe asaj të përtejme, mbushur me ogure, kumte, paralajmërime, lumenj dhe rrathë danteskë, rrëfehet një histori mbijetese e një familjeje çame dhe një fshati të tërë, që orvaten të ndërtojnë jetën e tyre në tokat e të parëve, ndërkohë që armiku kërkon t’i asimilojë, t’i detyrojë të harrojnë gjuhën e emrin, derisa të shuhen tërësisht. Megjithatë, Tom Kuka di të sjellë me humor të hollë dhe sarkazëm, personazhe të paharrueshme, gjeste dhe episode që i japin frymë jete gjithë romanit.

Rekomandimet e Jeton Neziraj

“Kryeveprat”, Dino Buxati

Më herët në shqip janë botuar disa libra me tregime të Buxatit, me tituj të ndryshëm. Megjithatë, para disa vitesh, Ombra GVG e Tiranës ka botuar një libër voluminoz, me titull “Kryeveprat”, ku përfshihen dy romane (ndër to edhe ‘Shktretëtira e Tartarëve”, romani që thuhet se Buxatin e ka bërë të famshëm në botë) dhe 60 tregime të tij. Duhet lexuar edhe romanet, natyrisht, megjithatë, ato, për mua, që e bëjnë Buxatin një shkrimtar fantastik janë tregimet e tij. Ato hyjnë në atë rrymën stilistike letrare që është quajtur si ‘realizëm magjik’ , të cilën e kan ‘kultivuar’ edhe shkrimtarë të tjerë të mëdhenjë, ndër ta edhe Markezi.

 “Si të udhëtosh me një salmon”, Umberto Eko

Libri, i botuar nga Dituria e Tiranës, përfshinë një përmbledhje me ese e shkrimesh  të shkurtëra që Eko i ka shkruar për gazetën italiane “L`Espresso” , në një hark kohor për rreth 30 vitesh. Këto ese e shkrime të shkurëra janë të shkëlqyeshme, të mbushura me ironi dhe të konceptuara si “udhëzime”, të tipit, ta zëmë: si të hamë në aeroplan, si të udhëtojmë me një salmon në çantë… Ky është një libër shumë argëtues, me rrëfime të thjeshta, me ngjarje e situate absurdi nga jeta e përditshme.

 “Misioni Londër”, Alek Popov

Romanin e ka botuar ideart nga Tirana dhe për mua është një nga romanet më komik të letërsisë bashkëokohore nga Ballkani. Për nga komikja, por edhe cilësia e shkrimit, afër tij do ta rëndisja edhe “Hotel Grand” të autorit kroat Renato Baretiq. Gjithsesi, deri sa e lexon “Misioni Londër”, e kupton që mentaliteti ballkanik i improvizimeve, korruspisonit dhe i vagabondizmit është pak a shumë i ngjajshëm. Personazhet shumë lehtë kan mundur të jenë shqiptar, por edhe ngjarja poashtu shumë lehtë ka mundur të ndodhë në në ambasadën e Kosovës në Londër, ose në atë të Shqipërisë.

 “Mbi dhunën”, Hannah Arendt

Një analizë e shkëlqyeshme për dhunën, natyrën e saj, por edhe një ekzaminim i raportit ndërmjet politikës, dhunës e pushtetit. Hana Arendt, ndër të tjera, në këtë libër, jep edhe një përkufizim të thjeshtë por domethënës për pushtetin dhe ‘strukturën’ e ekzistencën së tij . “Pushteti”- thotë ajo, “nuk është kurr pronë vetëm e një individi të vetëm; ai i përket një grupi dhe është funkisonal për sa kohë që grupi qëndron i bashkuar. Kur themi për dikë që “ka pushtet” i referohemi faktit që pushteti atij i është dhënë nga një numër i caktuar njerëzish për të vepruar në emër të tyre”.  “Mbi dhunën” e ka botuar “Pika pa sipërfaqe” e Tiranës.

 “Sytë e kast”, Ferik Ferra

Nuk kisha dëgjuar më parë për poetin shqiptar Ferik Ferra, për të cilin e kuptova se jeton në Athinë. Nuk besoj që librat e tij me poezi mund të gjenden kollaj në Prishtinë, megjithatë, nëse dikush i gjenë, do t’i rekomandoja t’i lexoni. Libri i tij me poezi “Sytë e kast” më ra në duar kur isha pjesë e një jurie në Tiranë, për cmimet vjetore në letërsi. Dhe vërtetë ishte një zbulim i këndëshëm, poezitë e tij ishin vërtetë të mrekullueshme, t’liruara krejtësisht prej atij tenit të nostalgjisë e patosit  që zakonisht e përcjellë poezinë që shkruhet nga autorët shqiptarë të diasporës. Ferra shkruan shlirë, me freski e qartësi të rrallë, shpesh në një gegnishte të kulluar, shkruan për pejsazhe që takon gjatë udhëtimeve të tija, për qytete, shkruan për eposin e për heronjë të epikës, por shkruan edhe për personazhe veprash letrare… Mësoj se Ferra, me origjinë nga Shkodra, para se t’emigronte, ka shkruar 8 libra të tjerë. “Sytë e kastë” e ka botuar shtëpia botuese “Pakti”./ GazetaMetro

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë