Loading…

Remzi Ejupi: Është meritë ekskluzive e klubeve fakti se vitin tjetër Kosova do të paraqitet me katër ekipe në garat evropiane

  • 22/07/2021 | 18:58

Remzi Ejupi: Është meritë ekskluzive e klubeve fakti se vitin tjetër Kosova do të paraqitet me katër ekipe në garat evropiane

Në edicionin garues 2022/23 Kosova do të paraqitet me katër ekipe në garat evropiane.


Futbolli kosovar do të prezantohet në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, ku të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë: kampioni, fituesi i Kupës, vendi i dytë dhe vendi i tretë në renditjen e Superligës.

Presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, në një prononcim për “Zeri.info” shprehet i lumtur me këtë lajm derisa thotë se merita për një gjë të tillë u takon ekskluzivisht investitorëve të klubeve tona.

“Lajmi se futbolli i Kosovës do të përfaqësohet me katër skuadra në arenën ndërkombëtare është tejet pozitiv. Ky lajm vjen falë punës së madhe që e kanë bërë klubet me investimet e shumta që janë bërë në futbollin tonë ndër vite. Ardhja e trajnerëve nga rajoni, lojtarëve më përvojë dhe atyre të huaj e ka ngritur nivelin e ligës dhe kjo është meritë ekskluzive e donatorëve e që sot po shpërblehet me katër skuadra në arenën ndërkombëtare. Më herët edhe Feronikeli, Drita Trepça ’89 janë paraqitur denjësisht në Evropë. Edhe në këtë edicion po dëshmohet se cilësia në futbollin tonë nuk mungon pasi që jemi përballur denjësisht me skuadrat evropiane. Merita të mëdha kanë edhe organizatorët e ndeshjeve me stafet e tyre që e kanë bërë një punë të shkëlqyer derisa kemi pranuar edhe lëvdata për organizimin e ndeshjeve” ka thënë njeriu i parë i FC Prishtinës, Remzi Ejupi të enjten për Zeri.info.

“Nuk duhet harruar as ata investitor që e kanë ndarë bukën e gojës pas pavarësimit të futbollit tonë në vitet e 90-ta si dhe pasluftës ku deri në pranim në vitin 2016 janë ndarë miliona euro”, shtoi Ejupi.

Tani që Superliga është me 10 ekipe, nëse e llogarisim me përqindje i bie që 40 përqind e ligës tonë të jetë në garat ndërkombëtare.

Ejupi që është investitori më jetëgjatë në futbollin e Kosovës ndër klubet e Superligës, ka besim të plotë se brenda pak viteve, skuadrat kosovare do ta rritin edhe më shumë nivelin.

“Klubet tona tashmë kanë filluar që ta bëjnë një përvojë edhe në garat ndërkombëtare dhe shumë shpejt jam i bindur se do të arrijmë që të kalojmë më shumë xhiro në Evropë, do të promovojmë talentë si dhe futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme”, pohoi ndër të tjera Remzi Ejupi.

Merita të jashtëzakonshme në arritjen e objektivit që katër klube kosovare të marrin pjesë ne Evropë, ka pikërisht FC Prishtina.

Kjo skuadër në këtë edicion pa problem e kaloi fazën preliminare të Ligës së Kampionëve duke i mposhtur ekipet Folgore dhe Inter d’Escaldes me rezultat 2:0 derisa më pas u eliminuan nga gjiganti hungarez Fernsvarosh.

Aventura e Prishtinës në Evropë vazhdon në Ligën e Konferencës derisa në ndeshjen e parë të turit të dytë e mundi në Prishtinë, kampionin e Uellist, CQ Nomads me shifrat 4:1. Ndeshja e kthimit zhvillohet javën e ardhshme në Uells.

Ndryshe, Drita në xhiron e parë të Ligës së Konferencës e eliminoi Deçiçin e Malit të Zi, teksa në xhiron e radhës ballafaqohet me Feyenoordin e Holandës.

Llapi në vitin e parë në garat ndërkombëtare u eliminua që në xhiron e parë në Ligën e Konferencës nga FC Shkupi.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë