Loading…

Rënia e “Prvomajski Uranak” në Gërmi

  • 01/05/2023 | 13:36

Rënia e “Prvomajski Uranak” në Gërmi

Në Kosovë kurrë nuk ka zënë rrënjë intepretimi i 1 Majit si një ditë kur punëtorët duhet të protestojnë dhe të konfrontohen me pushtetin, jo vetëm për shkakun e ndikimit nga tradita serbe dhe jugosllave e kremtimit të kësaj date, por edhe për shkakun se në Kosovë kurrë nuk ka pasur një lëvizje burimore socialiste dhe as traditë të grupimeve anarkiste, të cilat 1 Majin nuk e kuptojnë si ditë feste, por si ditë të demonstrimit dhe të ballafaqimit të dhunshëm me pushtetin.


Shkruan: Blerim Latifi

Rënia e “Prvomajski Uranak” në Gërmi

Në çdo 1 Maj jemi mësuar t’i shohim njerëzit duke u dyndur drejt Parkut të Gërmisë për të festuar në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Për disa orë rrjesht Lugina e Gërmisë shndërrohej në një piknik të madh, në të cilin ritualet dominuese ishin shëtitjet lartë e poshtë, batanijet e shtrira në tokë dhe konsumimi i ushqimeve të ndryshme. Në fund të ditës Gërmia i ngjante një koshi të madh mbeturinash.

Ky ritual është duke u zhdukur.

Por para se ta themi arsyen e zhdukjes, le t’i themi pak fjalë për origjinën e tij.

Nuk ka kurfarë enigme rreth kësaj origjine.

Pikniku i 1 Majit në Gërmi është imitim i plotë i mënyrës serbe të festimit të 1 Majit. Kjo mënyrë e ka edhe një emër. Quhet “Prvomajski Uranak”. Që në mëngjes miqtë, shokët dhe familjet mblidhen për të shkuar në një vend të caktuar në natyrë, ku organizojnë ato që njihen si “Barbeque në natyrë”, që përfshijnë përgatitjen  e ushqimeve në natyrë, konsumimi i të cilave shoqërohet me muzikë, lojëra e pije të ndryshme.

Në kohën e Jugosllavisë Socialiste ky lloj festimi përputhej me kërkesat ideologjike të regjimit, i cili 1 Majin e kremtonte më parada dhe aktivitete të ngjeshura shtetërore, ngase veten e quante shtet i punëtorëve.

Në Kosovë kurrë nuk ka zënë rrënjë intepretimi i 1 Majit si një ditë kur punëtorët duhet të protestojnë dhe të konfrontohen me pushtetin, jo vetëm për shkakun e ndikimit nga tradita serbe dhe jugosllave e kremtimit të kësaj date, por edhe për shkakun se në Kosovë kurrë nuk ka pasur një lëvizje burimore socialiste dhe as traditë të grupimeve anarkiste, të cilat 1 Majin nuk e kuptojnë si ditë feste, por si ditë të demonstrimit dhe të ballafaqimit të dhunshëm me pushtetin. Viteve të fundit janë bërë përpjekje për ta promovuar e praktikuar disi një interpretim jofestiv të kësaj date, por rezultatet kryesisht kanë qenë të mjerueshme.

Ndërkaq, zbehja e dukshme e “Prvomajski Uranak” të Gërmisë, e që e paralajmëron edhe zhdukjen e tij, është rezultat i faktit se tanimë pushimin e relaksin e vikendeve dhe ditëve festive shqiptarët e Kosovës po i gjejnë në brigjet e Adriatikut dhe në qytetet e Nanës Shqipni.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë