OVL e UÇK’së sot përmes një komunikate për media zbuloi se u janë dërguar edhe disa dokumente, në të cilat pretendohet se janë emrat e të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Një ndër ta, thuhet se është edhe Rexhep Selimi i VV’së, shkruan Gazeta Metro.
Edhe sot në zyrat e OVL-UÇK, janë dërguar dokumente nga persona të pa identifikuar ende, të cilat pretendohet se u përkasin Gjykatës Speciale.
Sipas kësaj dosje, thuhet se nga Gjykata Speciale akuzohen edhe Jakup Krasniqi, Azem Syla dhe Rexhep Selimi.
Ky i fundit, vetëm muajin e kaluar shënoi disa rreshta në rrjetin social Facebook rreth kësaj Gjykate, shkruan Gazeta Metro.
Madje ato ditë, Rexhep Selimi thoshte se pikërisht në kohën kur u formua Gjykata Speciale, përfaqësuesit e OVL-UÇK kishin shkuar në pushime dhe as nuk protestonin madje.
Ai e ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se e kishte formuar këtë Gjykatë.
Këtë shkrim, Selimi e kishte përfunduar duke thënë se “Çka mbillet, korret”.
Vlen të theksohet se ende nuk dihet se kush po i dërgon dosjet në zyret e OVL-UÇK, vetëm se pretendohet se ato janë nga Gjykata Speciale, ndonëse ende nuk u konfirmua asgjë./gazetametro.net