Loading…

Rezoluta e Kuvendit dje-sa ishte e nevojshme dhe e dobishme?

  • Nga

  • VALON MURTEZAJ

  • 16/01/2022 | 20:42

Rezoluta e Kuvendit dje-sa ishte e nevojshme dhe e dobishme?

Është i njëjtë dhe i pandryshuar, vullneti i shumicës së madhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për shtet të pavarur, sovran, demokratik dhe multietnik. Si rezultat nuk është e dobishme që kjo të provohet më shpesh se që është e nevojshme.


Shkruan: Valon Murtezaj

Një nga rastet e freskëta ishte votimi dje i rezolutës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që i kërkon Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbajtja e një referendumi te një shteti të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.

Është një non sens (por i zakonshëm tanimë për politikën në Kosovë) që Qeveria t’i kërkoj Kuvendit të miratojë një rezolutë, që i kërkon pastaj vet asaj (Qeverisë) t’i kryej detyrat kushtetuese të ngarkuara, për të cilën gjë vet Qeveria në këtë rast, paraprakisht ka shprehur qëndrimin e qartë në zbatim të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës kishte shprehur qëndrimin e saj për të ndaluar një referendum të tillë që organizohet nga një shtet i huaj (në ketë rast Serbia) që në vazhdimësi ka synim dëmtimin e shtetësisë së Kosovës dhe destabilizimin e rajonit.
Në shtesë, partitë politike opozitare kishin shprehur publikisht qëndrimet e tyre në përkrahje të qëndrimit të qeverisë.

Pra, këtu nevoja për ta detyruar Qeverinë të bëjë diçka tjetër nga vullneti i deputetëve ishte jo-ekzistente. Atëherë pse kjo të bëhet, pse të votohet një rezolutë në një situatë kur qëndrimet ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit janë në harmoni?

Në një situatë të tillë, ardhur si inercion prej Qeverisë, rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbetet e destinuar që të mos ndryshojë asgjë shtesë në terren. Sepse, edhe ashtu Qeveria kishte vullnetin dhe përkushtimin dhe mjetet e nevojshme për të kryer detyrat e saj në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe të normave e praktikave ndërkombëtare, që trajtojnë të drejtën e votimit të qytetarit dhe mënyrën, në këto rrethana.
Mbetet interesante dhe kurreshtje nxitëse procesi i shpejtë reaktiv i transformimit të burimit të kësaj rezolute: nga Qeveria, pastaj tek trekëndëshi Qeveri – Kuvend – Presidencë, për të vijuar te sponzorimi nga një grup parlamentar (i qeverisë në Kuvend) dhe në fund rezolutë propozim i disa grupeve parlamentare!!

Populizmi dhe patriotizmi qëndrojnë në një korrelacion padyshim. Aty ku ka suficit të populizmit, ka deficit të patriotizmit; dhe anasjelltas. Deputetët në momentin kur fitojnë mandatin e tyre nga qytetarët, atyre iu delegohet sasia e mjaftueshme e patriotizmit përmes besimit. Patriotizmi i vërtetë nuk është një pandemi, dhe nuk ka nevojë për doza përforcuese patriotizmi populist, ashtu siç Kosova në përgjithësi nuk ka nevojë për stërshitje të patriotizmit.

Një gjë duhet ta kenë parasysh të gjithë kush kanë një pushtet në vendim-marrje në Kosovë: nevoja kryesore e Kosovës aktualisht dhe në të ardhmen është forcimi i sovranitetit të saj, në koherencë me forcimin e pozicionit të shtetit të Kosovës në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në një sistem ku nuk jemi vetëm dhe ku kemi domosdoshmëri për aleatë. Kjo nuk është gjë komplekse, por shumë komplekse.

Detyra e institucioneve të Republikës së Kosovës, është që të krijojnë kontekste ku sovraniteti sot është më i fortë se dje; dhe sovraniteti nesër të jetë më i plotë se që është sot dhe që ishte dje.

Ky është një ekuacion i vështirë, por mbetet obligimi madhor i njeriut të Kosovës me tipare prijësi e lidershipi për Kosovën.

(Valon Murtezaj është anëtar i kryesisë së LDK’së, gjithashtu është  profesor universitar në Paris. Ndërsa, për merita të shquara, me dekret të Presidentit të Republikës franceze është dekoruar me Urdhrin Kombëtar të Meritës. )

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë