Loading…

Ribërja e Afganistanit

  • Nga

  • DARDAN ISLAMI

  • 25/08/2021 | 17:27

Ribërja e Afganistanit

Lufta nuk fitohet pa përkrahjen e popullit.


Shkruan: Dardan Islami

Vetëm një vjet pas intervenimit ushtarak humanitar nga ajri në Kosovë, kandidati për President, Xhorxh W. Bush po garonte për Shtëpinë e Bardhë, me premtimet se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të merreshin më me « ndërtimin e shteteve », dhe nëse do të zgjidhej President, “ai nuk do t’ia imponojë më askujt demokracinë dhe vlerat Amerikane”. Bush vijonte më tej se “Amerika kishte mësuar nga përvoja e saj në Vietnam, se kur forcat ushtarake qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë vendit, atyre u bie morali”. Por vetëm një vjet me vonë, në mëngjesin e 11 Shatorit të vitit 2001 gjithçka do të ndryshonte.

Në tetor të po atij viti ShBA-të po zbarkonin në Afganistan, pasi që Talibanët atje nuk po ua dorëzonin Bin Ladenin, planifikuesin dhe organizatorin e sulmeve kundër dy ndërtesave binjake në New York, ku humbën jetë 3000 civil Amerikan! Misioni i SHBA-ve në Afganistan këtë herë nuk kishte karakter humanitar, por ishte një luftë “kundër terrorizmit global”. Ata po ballafaqoheshin me një armik të ri në një terren shumë të vështirë.
Përvoja e mëhershme i kishte mësuar se me terroristët nuk duhet të bisedohet, kështu ata nuk i kishin përfshirë Talibanët në bisedime për paqe, e as në krijimin e institucioneve, ku fiset e tjera do të bashkëqeverisnin. Si pasojë e mos ndarjes së pushtetit me Talibanët, ata vranë rreth 6 mijë ushtarë dhe kontraktues Amerikanë, rreth 66 mijë pjesëtarë të forcave të sigurisë Afgane, gjersa edhe 100 mijë civil Afganë humbën jetën si viktima kolaterale! Amerikanët në këtë lufte vranë rreth 50 mije Talibanë, dhe terroristë të tjerë të importuar nga vendet arabe!

Vetëm dy vite e me vonë SHBA-të e okupuan edhe Irakun, duke e zënë të gjallë presidentin, diktatorin Sadam Husein të fshehur në një vrimë, ku pas një gjykimi të shpejt nga një gjykatë vendore, ai edhe u ekzekutua! Edhe kjo luftë rezultoi të jetë e vështirë për ushtrinë Amerikane, një luftë e përgjakshme me shumë të vdekur por edhe të burgosur të luftës, nga të cilët, në po ato burgje ushtarake Amerikane më vonë do të lind organizata me famëkeqe terroriste, e njohur si ISIS. Derisa gjeneralët e ushtrisë Amerikane po ballafaqoheshin me një kaos të paparë nga sulmet vetëvrasëse nëpër rrugët e përgjakura të Kabulit dhe Bagdadit, përkrahja e popullit Amerikan për luftërat e stërzgjatura, po binte në nivelin me të ulët. Gjatë operacioneve luftarake në zona urbane, ushtria Amerikane po provonte për herë të pare fluturaket pa pilotë, për t’i evituar kështu sulmet nga aeroplanët të cilit shpesh po vrisnin edhe civile të pafajshëm, e pikërisht këto incidente të shpeshta, po e zbehnin përkrahjen Amerikane edhe të popullsia vendore.

Ushtria Amerikane po e gjente veten ne mes te nje lufte sektare, ku po luftonin grupe dhe frakcione te shumta, disa te finavuara nga shtetet e Arabe te Golfit e disa nga Irani.
CIA, e cila akuzohej se nuk kishte arritur ta parandalojë sulmin në New York, tash kishte të gjitha mundësitë ligjore dhe joligjore, t’i arrestojë dhe t’i procesojë, e në shumë raste edhe t’i torturojë të dyshuarit e zënë rob maleve dhe shpellave të Afganistanit. Pas 10 vite interogimesh të mbajtur në kushte çnjerëzore në Guantanamo Bay por edhe në baza tjera të fshehta, CIA përfundimisht arriti ta lokalizojë shtëpinë ku po bënte një jetë të qetë Bin Laden, të cilin shpejt do ta vrisnin forcat speciale të ushtrisë Amerikane, në një fshat në Pakistan.

Ardhja e Barak Obama në shtëpinë e Bardhë kishte sjellë një “shpresë” jo vetëm te populli Amerikan por në katër anët e Botës. Afro-amerikani i parë qe po hynte në shtëpi të bardhë, kishte premtuar ndryshimin e politikave Amerikane karshi luftërave, që në atë kohë ishin shumë pak të popullarizuara te votuesi Amerikan. Obama kishte një strategji tjetër nga paraardhësi i tij Xhorxh W. Bush, ky besonte se rajoni duhet demokratizuar. Edhe pse dronet po vazhdonin luftën kundër terrorizmit, dhe tensionet mes Izraelit dhe Iranit ishin gati për të eskaluar, në rajonin e lindjes së mesme po frynte një erë e re, ajo që do të njihet si “Pranvera arabe”. Kjo lëvizje ishte një strategji e re e perëndimorëve kundër regjimeve të kalbura atje, dhe si një kundërpërgjigje për Gjeneralët e Pentagonit apo “Gjeneralët e Luftës”, siç i quante administrata e Obames. Ishte pra kjo një qasje dhe nevojë tjetër për demokratizimin e rajonit, sepse lufta nuk po jepte rezultate. Si pasojë e kryengritjeve neper Sheshe, regjimet autoritare po binin me efektin Domino, por jo edhe Siria e Asadit! Përvojat e suksesshme por edhe dështimet në Irak dhe Afganistan tani ishin një mësim i mire për Amerikanët, por për dallim këtu presidenti Asad nuk u rrëzua nga pushteti dhe nuk u vra ngjashëm nga turmat që muaj më herët masakruan Gadafin në ruget e Tripolit. Asadi qëndroi në pushtet sepse kërkoi ndihmën e Rusëve, të cilët pas fteses edhe i erdhën në ndihmë.

Vetëm një vjet pas aneksimit të Krimesë, Putini po e shfrytëzonte rastin ta projektojë Rusin si një superfuqi rajonale, ku në mungesë të një përgjigjeje të rreptë nga Perëndimi, ai po tregonte jo vetëm muskujt por edhe ushtrinë e modernizuar dhe armatimet e tij të reja! Ende pa përfunduar misionin e tyre në shkatërrimin e ISIS, dhe gjersa luftetaret e perkrahur nga Irani po fitonin terren ne fushbetej, Amerika po tërhiqej nga Iraku dhe Siria. Kjo hapësirë u mbush nga Rusia me një politikë pragmatike, ku në emër të “luftës kundër ISIS”, ata po synonin qëllimin e tyre të kamotshëm, zbehjen e rolit të SHBA-ve, dhe largimin e tyre nga rajoni! Edhe pse SHBA zyrtarisht u tërhoqën nga Siria dhe Iraku, ata atje mbajnë prezencë ushtarake me gjithsej 4 mijë trupa në zonat e banuara me Kurdë, aleatë këta të dëshmuar të SHBA-ve.

Tërheqja e trupave në vitin 2016

Amerika zgjodhi një President jokonvencional, fitorja e Donald Trump do të përcillej me skandale dhe hetime nga FBI dhe agjenci tjera, të cilët po dyshonin se zgjedhja e tij u ndihmua tërthorazi nga rusët. Sinjalet e perziera që po dilnin nga Shtëpia e Bardhe, lanë shumë pasoja në marrëdhëniet me aleatet e saj Evropianë, por edhe brenda NATO-s, ndaj të cilëve popullisti Trump, po sillej me një gjuhë shumë të ashpër dhe aspak diplomatike, gjersa para Presidentit rus Putin, i njëjti po qëndronte inferior duke i kërkuar bashkëpunim. Në vitet në vijim imazhi dhe autoriteti i SHBA me administratën e Trumpit, po zbehej tej mase në mbarë Botën, dhe kur papritmas Pandemia COVID-19 po e godiste mbarë globin, Amerika por edhe shumica e shteteve të tjera të zhvilluara u gjetën totalisht të pa përgatitur për t’u ballafaquar me këtë situate të re.

Opinioni Amerikan po përballej edhe me një fushate mediale, një propagandë antiamerikane e orkestruar nga Kina dhe Rusia, një lufte kjo “hibride”, një “virus” që po përçante dhe po e sulmonte Amerikën nga brenda, duke i vënë në pah ndasitë klasore, racore dhe ato fetare. E tëra kulmoi në Janar të këtij viti, kur në Capitol Hill turmat e egra të organizuara po i tregonin Botësme pamje live, se demokracia Amerikane tash po lëkundej në vet themelet e saj, në Washington D.C.

Një nga premtimet e Presidentit Trump ishte edhe tërheqja e trupave Amerikane nga Afganistani deri në shtator të këtij viti, premtim të cilin Presidenti Biden me të hyrë në Shtëpi të Bardhë vendosi që ta jetësojë, duke i tërhequr trupat disa muaj para afatit pa një plan afatgjatë të evakuimit, duke shkaktuar kështu një kaos në menaxhimin e situatës në terren, por edhe konfuzion të shtetet tjera aleate. Amerikanet megjithatë në këto dy dekada mësuan shumë nga këto përvoja të vlefshme, përvoja këto të shtrenjta që do ti shërbejnë atyre në dekadat e ardhshme. Tash për tash ajo mbetet një superfuqi e pa kontestuar edhe pas rritjes dhe modernizimit të shpejt të ushtrisë Kineze dhe asaj Ruse.

Në këto dy dekada, ShBA vazhdon ta ndihmojë dhe ta fuqizojë Kosovën në shtetndërtimin e saj! Mësimi që duhet nxjerrë nga dështimi i Afganistanit, është se Kosova ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme në forcimin e ushtrisë dhe institucioneve të pavarura të saj, sidomos tani pas ngjarjeve në Afganistan, por edhe pas skenarëve në Irak dhe Ukraine, ku ushtrive nuk u mungonin armatimet e as trajnimi, por u mungonte morali, disiplina dhe besimi, dhe shpeshherë përkrahja e popullit, si pasojë e korrupsionit të ngulur thellë në strukturat shtetërore!
“Kosova ishte me fat”, me këto fjalë e përshkruajnë intervenimin e NATO-s, me 1999 diplomatë, ushtarakë dhe gazetarë të kohës, “sepse një intervenim i tillë do të ishte shumë më i vështirë pas 11 Shtatorit”, pajtohen të gjithë! Sot Kosova është një shtet i ri demokratik, ku SHBA-te, kane nje prezence prej 500 ushtaresh, eshte anëtare e koalicionit kundër terrorizmit global, merr pjesë në misione paqësore në Kuvajt, dhe po përgatitet që t’i strehojë Afganët e rrezikuar nga Talibanët, duke u afruar kështu edhe një hap me afër NATO-s. Dhe gjersa lufta kundër terrorizmit po vazhdon, Talibanët më nuk konsiderohen kërcënim për SHBA-të, me te cilet ajo përfundimisht edhe e bëri një marrëveshje, duke e lënë keshtu Afganistanin në zonën e influencës Kineze, me shpresë se këtij vendi të shkatërruar nga luftërat civile, do t’i ndërtohet infrastruktura që i mungon, duke depëruar në tregjet e atjeshme dhe ne shtetet perreth, por edhe eksploatimi i pasurive natyrore; një marrëdhënie e mirë e Kinës me Talibanët, qe i garanton qetësi Kinës brenda provincës Xinjang, ku jetojnë rreth 12 milion Uigurë, të besimit Mysliman.

SHBA-të vëzhgojnë nga qiejt çdo lëvizje që mund të konsiderohet rrezik për sigurinë e tyre kombëtare, dhe siç e kanë dëshmuar shumë herë më parë, ata mund zbarkojnë kudo, në kohë shumë të shkurtë aty ku rrezikohen interesat e tyre. Kërcënim serioz në atë rajon për SHBA-të akoma mbetet Irani, gjersa prioritet për ushtrinë Amerikane mbetet mbrojtja e Tajvanit nga Kina, derisa Afganistani përsëri po ribëhet.

(Autori është analisti politik )

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë