Qeveria e Kosovës pati miratuar me shumicë votash propozimin për emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në mesin e të cilëve është edhe, Gëzim Tosuni, nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimit, për të cilin ky i fundit pati thënë se nuk e ka takuar në 50 vitet e fundit, e doli që nipi s’i ka pesë dekada jetë akoma, shkruan Gazeta Metro.
Pas një jave intensive me deklarata qesharake rreth punësimit e fshehjes së afrimitetit të dajës (Besnik Bislimit) me nipin (Gëzim Tosunin), kjo çështje u rikthye prapë, por këtë rradhë nga deputeti i VV’së Armend Muja, që po del të jetë miq me të dy protagonistët.
Muja ka bërë një deklaratë pak a shumë të ngjashme me ato që u thanë më parë rreth punësimit të nipit të zv/kryeministrit Besnik Bislimi.
“20 vjet e kom njoftë Gëzim Tosunit, kurrë s’ma ka përmend se e njeh Besnik Bislimin’’, tha Muja në Debat Plus.
Përfshirja e nipit të Bislimit në këtë Këshill, është përcjellur me kritika në adresë të qeverisë Kurti, për shkak se Vetëvendosja sa ishte në opozitë, ka qenë kundërshtarë e madhe për punësimet familjare.
Lidhur me këtë punësim, ka folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka dhënë një shpjegim interesant.
“E pyeta për kureshtje (Besnikun) tha se ndoshta në 50 vjetet e fundit ndoshta e kam takuar njëherë, nuk e mbaj në mend se çfarë e ka”, tha ajo.
Kujtojmë, që Tosuni ka kërcënuar edhe një gazetare të Infokus, e cila ka telefonuar atë dhe e ka pyetur rreth kësaj çështjeje.
Gëzim Tosuni aktualisht, profesor në Fakultetin Ekonomik, ndërkohë ka qenë dekan i Fakultetit Ekonomik të Universitetit Publik të Gjilanit./gazetametro.net