Loading…

Rikthimi i Kosovës nga “autsajderi” në faktor ekonomik rajonal

  • Nga

  • GAZMEND ABRASHI

  • 30/09/2020 | 11:15

Rikthimi i Kosovës nga “autsajderi” në faktor ekonomik rajonal

Se rruga për njohjën e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë duhet të orientohet dhe udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte strategji e qartë e Qeverisjes Haradinaj, i cili që në vitin 2017 në EU, te zonja Mogherini insistoi në involvimin Amerikan në zgjidhjen përfundimtare të raporteve Serbi – Kosovë që duhet të përfundoj me njohje të ndërsjellë.


Shkruan: Gazmend Abrashi

Taksa 100% e vendosur nga Qeveria Haradinaj në produktet e Serbisë ngriti presionin e afaristëve të Serbisë ndaj qeverisë së tyre për gjetjën
e formës për heqjën e taksës që po u shkaktonte dëme bizneseve të tyre dhe humbje graduale të prezencës së tyre në tregun e Kosovës,
edhe pse treg i vogël, është shumë i rëndësishëm për ta.

Presioni i taksës mobilizoi Serbinë që të ngritë çështjen në Cefta, në Unionin Evropian, tek Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron dhe në
Samitin e Berlinit, të inicuar nga Merkel, e ku isha prezent si Koordinator Nacional i Kosovës për Ballkanin Perëndimor dhe si Këshilltar i Kryeministrit Haradinaj, Kosova insistoi në kërkesën e  involvimit Amerikan në tejkalimin e situatës dhe lidershipin e saj në
zgjidhjen e çështjes Kosovë – Serbi.

Kjo kërkesë e Kosovës u adresua dhe muaj më pas kemi marrëveshjet e para mes dy vendeve për ndërlidhjen ajrore dhe rekonstruimit të rrjetit
hekurudhorë Prishtinë – Beograd për tu lidhur me rrjetin rajonal dhe evropian të hekurudhave, marrëveshje që u realizuan nga i emruari i
posaçëm për Kosovën i Presidentit Trump, Richard Grenell, e që paraqet involvimin e nivelit më të lartë Amerikan në çështjën e Kosovës
pas shumë viteve, kohë të humbura në bisedimet e udhëhequra nga BE.

Rëndësia e involvimit të SHBA-së në proces nuk vlerësohet nga Qeveria pasuese e cila përpos që i ikë komunikimit direkt me SHBA-të,
merr edhe veprime të palogjikshme duke shkarkuar zyrtarët kosovarë që nënshkruan marëveshjet e sponzorizuara nga Amerikanët.

Ndryshimet në qeverisje ndryshojnë edhe qasjën tonë dhe me 4 Shtator kemi takimin në Shtëpinë e Bardhë të delegacioneve të Kosovës dhe
Serbisë, ku në prani të Presidentit Trump nënshkruhet marrëveshja për projekte nacionale madhore, që Kosovën nga një pozitë të “autsajderit” në rajon, të përfitoj pozicion të liderit me projekte makroekonomike që do të ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në aspektin gjeopolitik rikthim të fuqishëm të ndikimit Amerikan në Ballkanin Perëndimor me qëllim të eliminimit të ndikimit të Rusisë, veçanërisht në Serbi.

Gjeopolitika, historikisht ka pasur ndikim në fatin e shqiptarëve në Ballkan, prandaj është koha e mobilizimit e të gjithë spektrit politik në
Kosovë po edhe atij gjithëshqiptarë, që ta shfrytëzojmë këtë pozicionim të qartë të SHBA-ve në përkrahje direkte të Kosovës që e dëshmoi para
Serbisë po edhe tërë botës nga Zyra Ovale e Shtëpisë së Bardhë.

Sponzorizimi i veçantë i organizuar nga Presidenti Trump i njohjës së shtetit të Kosovës nga Izraeli është mesazh për të gjithë për rolin lider
të Amerikës në rrumbullaksimin e shtetësisë së Kosovës, duke siguruar njohjën e ndërsjellë Kosovë – Serbi dhe ulësen në OKB.

Involvimi Amerikan duhet të maksimalizohet veçanërisht në gatishmërinë e SHBA-ve për mbështetje të investimeve kapitale në
Ballkanin Perëndimor.

Nga ne kërkohet që të dalim me projekte konkrete siç është Hekurudha Kosovë – Shqipëri, Hekurudha Kosovë – Serbi që na lidhë me Evropën,
kyçja e Kosovës në gassjellësin TAP dhe ndërtimit të rrjetit të brendshëm që të sigurohet gasi për industri dhe amvisëri si burim
energjie më së paku i kushtueshëm. Ndërtimi i Portit të Shëngjinit që do të shfrytëzohej kryesisht nga Kosova dhe vendet e rajonit, aktivizimi i
Zonës Ekonomike Amerikane në Gjakovë dhe aeroportit të Gjakovës, ekzekutimi i Unazës së jashtme të qytetit të Prishtinës, Qendra e
skijimit në Brezovicë dhe Rugovë – Borea, projekte për Trepcën, veqanërisht kapacitetet për përpunimin e plumbit dhe fabrika e baterive të Litiumit dhe projekte tjera atraktive që do të sigurojnë zhvillim ekonomik, vende të reja të punës me paga të dinjitetshme dhe mirëqenie të qytetarëve të saj. Gjithashtu duhet përgatitur pako të lehtësirave fiskale për kompanitë amerikane që investojnë në Kosovë që do të siguronin punësimin e të rinjëve, me theks të veçantë në sektorin e Teknologjisë Informative.

Tani është koha e ekonomistëve, ekspertëve të vendit që kanë njohuritë dhe përvojën që të hartojnë dhe prezentojnë projektet kapitale që mund
ti përfitojë Kosova nga mbështetja Amerikane e cila ka zgjedhur që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të jetë në fokus të investimeve të tyre
me qasjën specifike të “karrotës dhe shkopit”.

Dhe për të mos harruar kurrë që Presidenti Amerikan Woodrow Wilson e siguroi pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e paqës në Paris. Në
vitin 1999, Presidenti amerikan Bill Clinton shpëtoi shqiptarët nga hegjemonia serbe dhe Presidenti amerikan George W Bush në vitin 2007 në Tiranë konfirmoi se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe
sovran.

Jemi me fat që si popull i vogël që jemi, e kemi gjithmonë përkrah SHBA-në dhe për këtë duhet të jemi falenderues dhe respektues.

(Shkruan Gazmend Abrashi, deputet i Kuvendit të Kosovës)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë