Loading…

Rikthimi në planin A – Bosnjëzimi i Kosovës

  • Nga

  • QENDRIM BADALLI

  • 17/10/2020 | 20:56

Rikthimi në planin A – Bosnjëzimi i Kosovës

Nuk ka asnjë dyshim se marrëveshja Kosovë – Serbi duhet të përfundojë përmes një kompromisi që duhet ta bëjnë të dyja shtetet. Në historikun 20 vjecar të raportit Kosovë-Serbi, kjo është hera e parë që Kosova detyrohet që të bëj një kompromis për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Cështjet më 1999 dhe me 2008 janë zgjidhur me vendim të njëanshëm të Kosovës së bashku me aleatët perendimor njëherë përmes forcës ushtarake njëherë përmes fuqisë diplomatike, kësaj rradhe s’mund të ketë cështje të mbyllur në modelin e mëparshëm meqë s’ka pajtim të njëanshëm, me fjalë të tjera, karakteri i procesit të paqes e pajtimit kërkon dy palë për përfundim procesi. Ashtu si e kemi thënë edhe më herët, histora njeh ushtrim dhune njëanshëm, pavarësim të njëanshëm por jo edhe pajtim të njëanshëm.  Ky është argumenti që shpjegon dosmosdoshmërinë e  kompromisit me Serbinë, shto këtu faktin se vet arti i politikës është art i kompromisit, prandaj duket iraconale stigma mbi kompromisin në fushën e realizmit politik.


Shkruan: Qendrim Badalli

Në debatin publik dhe politik në vend deri më tani kanë ekzistuar dy rrugë për arritjen e marrëveshjes së paqes me Serbinë: Ajo përmes të ashtuquajturit Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe ideja e shkëmbimit të territoreve. Pasi, së paku përkohësisht, ka rënë poshtë ideja e shkëmbimit të territoreve si zgjidhje për një marrëveshje përfundimtare, së pari për shkak të mospajtimeve të brendshme për këtë zgjidhje dhe së dyti edhe për shkak të skepticizmit europian për këtë zgjidhje, tashmë debatit për gjetjen e zgjidhjes i është kthyer planit A, Bosnjëzimi të vendit, dhe themi i është kthyer planit A, meqë ideja e Asociacionit u shqyrtua para idesë për shkëmbimin e territoreve dhe mbi të gjitha sepse kjo ide ka rrënjë shumë më të thella se sa thjeshtë një ujdi mes dy shteteve në përfundim të një procesi negociues.

Shkëndia e parë e procesit etnik diferencues si dhe njëkohësisht gjeneza e këtji procesi ka qenë tek “Trazirat e Marsit” 2004, si shprehje e vullnetit të brendshëm për asgjësimin e identitetit etnik serbë që u manifestua përmes djegies së kishave serbe, proces ky faturën e të cilit shqiptarët e Kosovës e paguan në Kushtetutën e vendit më 2008, kur pakicat serbe u favorizuan sic nuk ka ndodhur, thënë më së buti, në asnjë kushtetutë rajonale. Pa dyshim se Trazirat e Marsit krijuan një momentum të pavavorshëm për Kosovën meqë mesazhi dhe qëllimi i tyre ishte në shpërputhje me sfondin e përgjithshëm socio-politik ndërkombërar, thënë ndryshe, ideja që të asgjësojmë identitetin etnik serbe në mënyrë që ta ruajmë atë puro shqiptar, binte në kundërshtim me narracionin, civilizimin dhe identifikimin perendimor, i cili promovon shoqërinë multietnike, si ide progresive dhe si e vërteta e kohës.

Nga Trazirat e Marsit tek Kushtetuta e Kosovës nuk është se kemi patur ndonjë proces të rëndësishëm në projektin europian për diferencimin etnik serb brenda Kosovës, Kushtetuta vetëm se formalizoi disponimin e tyre për këtë diferencim si dhe vendosi bazat e asaj që do të pasonte më vonë, marrëveshjen për Asociacionin e Serbisë brenda Kosovës, që në shpjegimin tonë, nuk është asgjë më shumë dhe asgjë më pak se projekt për Bosnjëzim të vendit, që kamuflohet përmes një ligjërimi qëllimisht të komplikuar juridiko-politik.

Kushtetuta e Kosovës do të analizohet vetëm në raport me Asociacionin e Serbisë në nivelin e dytë, meqë në nivelin e parë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese pasi e njejta gjeti mospërputhje në 23 nene, intepretim ky që pasoi pas një periudhe jo të shkurtër të një krize të thellë politike dhe shoqërore e shoqëruar me protesta të dhunshme brenda dhe jashtë institucioneve të vendit. Në vazhdim po ndaj, në gjykimin tim, katër (4) momente kyqe juridike brenda Kushtetutës së Kosovës të cilat mundësuan diferencimin legal etnik si dhe trasuan rrugën për Marrëveshjen e Asociacionit.

Momenti i parë lidhet me zbatimin e drejtpërdrejtë të marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, me theks të vecantë tek Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Karten Eurpiane për Vetëqeverisje Lokale.

Momenti i dytë në nenin 5 të Kushtetutës, gjuha serbe është gjuha e dytë zyrtare në nivel qëndror ndërsa gjuhët e pakicave tjera janë vetëm në nivel lokal. Neni si vijon: “ Neni 5 (Gjuhët) 1. Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe. 2. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statutin e gjuhëve zyrtare në nivel komunal ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin.

Momenti i tretë, këtu vërejmë se të drejtat e pakicave serbe në Kosovë dalin edhe jashtë Konventave Ndërkombëtare. Pika e parë e nenit 57 thotë: “ Banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (Komunitetet), gëzojnë të drejta të vecanta, krahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në Kapitullin ll të kësaj Kushtetute”.

Momenti i katërt lidhet me nenin 59 i cili në 13 pika lejon veprimtari si vijon: Ruajtjen e identietit; fenë, gjuhën, traditën dhe kulturën e tyre. Të marrin arsim publik në gjuhën e tyre, të themelojnë arsim privat, të përdorin gjuhën dhe alfabetin e tyre në sferën publike dhe private, të krijojnë një medie të vecantë në gjuhën e tyre, të gëzojnë një bashkëpunim të papenguar me vendin e origjinës së tyre.

Kjo është skema juridike në Kushtetutën e Kosovës e cila ishte funksionale dhe legale në vend shumë para Marrëveshjes së Asociacionit. Ajo cfarë garantohej në Kushtetutë filloi dhe u implementua në terren. Tashmë në Kosovë i kishim në funksion: RTK 1 në Gjuhën Serbe, Universitetin Verior në Gjuhën Serbe, krijimin e komunave me shumicë serbe përmes procesit të decentralizimit, mbrojtjen e kishave serbe përmes institucioneve vendore dhe UNESCO-së. Të gjitha këto u ngritën në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, disa vite para Marrëveshjes së Asociacionit.

Rradha për Asociacionin e Serbisë brenda Kosovës. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ka rrëzuar në substancë pikat në vijim:

1. Asociacioni do të jetë etnitet juridik.
2.Fushveprimi i tij parasheh kontroll të plotë në të gjitha sferat e jetës sociale: Arsim, urbanizëm, shëndetësi, administratë, ekonomi.
3. Asociacioni ka të drejtë të vendos raporte edhe me asociacione jashtë shtetit.
4. Asociacioni do të ketë Kuvend, Administratë Civile, seli dhe kryetarin që do ta përfaqësojë jashtë shtetit.
5. Do të ketë të drejtë në pronësi në pronen e paluajtshme dhe të luajtshme dhe bashkëpronësi me kompani të tjera.
6. Burimet financiare nga autoritetet qëndrore, nga të ardhurat e shërbimeve që i ofron,  nga organizatat apo asociacionet e tjera ndërkombëtare si dhe nga Reppublika e Serbisë.
7. Asociacioni ka të drejtë ti përdor simbolet e veta.
8. Asociacioni mund të shpërbëhet vetëm nga Kuvendi i tij me 2/3 e votave.

Pika 5 dhe 6 e Asociacionit, pra e drejta e pronësisë dhe mënyra e financimit, janë dy pikat më serioze që ka prodhuar Asociacioni. Përmes të drejtës së pronësisë Serbia rrit pretendimet për Liqenin e Ujmanit ndërsa përmes mënyrës së financimit mirëmbahen lidhjet me Beogradin dhe Moskën, e tëra kjo në mënyrë legale.

Të gjitha këto pika në komunat me shumicë serbe i gjejmë edhe para Marrëveshjes së Asociacionit. Asociacioni vetëm se ua rritë legjitimitetin dhe mundëson rrjetëzimin e komunave, lidhja e të cilave deri tani mungonte. Kështu e shohim se Bosnjëzimi i Kosovës përmes tetë pikave të asociacionit është mundësuar nga shfrytëzimi maksimal i institucioneve ndërkombëtare nga ana e Serbisë- Konventa dhe të ngjajshme-, si dhe nga modeli i Kushtetutës së Kosovës. Asociacioni përbënë goditjen e fundit të një procesi të gjatë të diferencimit të pakicave serbe brenda Kosovës, diferencim legal që nga viti 2008.

Qasja e diplomatit Miroslav Lajcak si përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është joserioze. Lajcak vazhdimisht po përmend ‘normalizim të raporteve’ por jo ‘njohje nga Serbia’ në mënyrë eksplicite teksa deklarata e tij që të mos ndryshohet asociacioni për Kushtetutën por Kushtetuta për asociacionin është e papranueshme. Pas dështoi shkëmbimi i territoreve, Bashkimi Europian po dërgon përpara planin për Bosnjëzimin e vendit përmes Asociacionit të Serbisë, i cili momentalisht do t’i rris tensionet nacionaliste si dhe do të ketë pasoja historike meqë kjo marrëveshje jo vetëm që nuk do ta mbyll konfliktin shekullor por përkundrazi do të sigurojë bazë për një konflikt të ri.

Perëndimi duhet të mos e përsëris gabimin që ka bërë në Bosnje Herecegovinë kur në përpjekje për ta stabilizuar dhe orientuar drejt vetes atë vend i krijoi dy republika brenda një shteti, rrjedhimisht humbi betejën politikisht të cilën e kishte të fituar ushtarakisht. Perëndimi njeh funksionimin e shteteve përmes kantoneve të ndryshme por Ballkani Perëndimor e ka dëshmuar se nuk ka potencial për të prodhuar ‘shtete kantonesh’ funksionale, para se gjithash, për shkaqe sociale dhe historike.

Një nga arsyet kryesore se përse Asociacioni i Serbisë brenda Kosovës dërgon vendin drejtë Bosnjëzimit janë dallimet diametrale shoqërore mes shqiptarëve dhe serbëve pavarësisht se jetojnë me një territor. Kështu, dallimeve historike, religjioze dhe kulturore, kur ia shtojmë edhe diferencimin legal institucional atëherë qarja sociale që vecse ekzistonte thellohet edhe më shumë dhe krijon një bllok të vecantë juridiko-social. Pra, ata që po përmendin vetëm dallimin institucional dhe legal që krijon asociacioni po e tejkalojnë faktin e hekurt të dallimeve substanciale shoqërore mes nesh dhe atyre, dallime këto që ekzistojnë sot e sa shekuj.

Bosnjëzimi potencial i Kosovës përmes Marrëveshjes së Asociacionit do ta paralizonte 1/3 e territorit të vendit, do ta debalanconte raportitn e forcave mes ShBA-së dhe Rusisë në Ballkanin Perendimor meqë një republik serbe brenda Kosovës do të thotë një ndikim më të madh rus brenda rajonit. Kështu, ky projekt është në shpërputhje me interesin e brendshëm dhe të jashtëm, prandaj ai duhet të refuzohet kategorikisht nga të gjitha subjektet politike, nga bota akademike si dhe nga shoqëria civile në vend, me maturi e diplomaci.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist kosovar).

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë