Loading…

Rishikimi i Buxhetit për vitin 2020 procedohet në Kuvend

  • 08/07/2020 | 12:36

Rishikimi i Buxhetit për vitin 2020 procedohet në Kuvend

Me 6 vota pro dhe 4 kundër, anëtarët e Komisionit për Financa dhe Transfere kanë miratuar rishikimin e buxhetit për vitin 2020 dhe i njëjti është proceduar në Kuvend për miratim.


Në komisionin për Financa dhe Transfere gjatë shqyrtimit të rishikimit të buxhetit për këtë vit, janë dhënë vërejtje për këtë projektligj nga deputetët e partive opozitare pasi sipas tyre nuk është adekuat për gjendjen e krijuar nga Covid-19.

Derisa ministrja e Financave Hykmete Bajrami, duke arsyetuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e viti 2020, ka thënë pandemia Covid-19 ka goditur të hyrat buxhetore sikur edhe sektorin privat dhe për këtë është i domosdoshëm rishikimi.

Prandaj, për të reflektuar rënien e të hyrave dhe gjendjen e rëndë të bizneseve dhe punëtorëve, qeveria sipas saj ka marrë nismë ligjore qysh në fillimin e punës në rishikimin e buxhetit për të marrë veprime për t’u përballë me virusin korona.

“Gjendja e rëndë në sektorin privat dhe rënia e madhe e të hyrave buxhetore që pritet të jenë 231 milionë euro, na ka shtyrë që të bëjmë rishikim të buxhetit”, tha ajo duke shtuar se asnjë projekt nuk është shlyer për këtë vit.

Ministrja Bajrami theksoi se buxheti i rishikuar mundëson implementimin e programit të Qeverisë, derisa shtoi se pritjet për rritje ekonomike për vitin 2020 do të jenë minus 3 për qind.

Bajrami tha se shpenzimet e buxhetit do të jenë 2 miliardë e 620 milionë euro, ndërsa 385 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike.

Ajo shfaqi shqetësimin e saj me koston e lartë buxhetore të skemave sociale, deri sa tha se kostoja e kësaj skeme ka mbërri në vlerën e kategorisë së pagave.

20 mijë kryefamiljarë presin t’i marrin nga 130 euro nga masa e 15 e pakos emergjente, prandaj situata është emergjente, sepse kategorisë sociale ju ka shtuar kjo listë nga pandemia.

Kryetari Komisionit Hekuran Murati përveç kritikave që pati për rregullin fiskal, theksoi se kjo qeveri është e pa disiplinuar për tentativën siç tha ai të prekjes së mjeteve të Trustit.

Ndërsa, shefi i GP të PDK-së, Bedri Hamza një herësh edhe anëtar i këtij Komisioni ka thënë se është për t’u vlerësuar puna e atyre(qeverisë) për rishikim të buxhetit, por këto masa janë të vonuara dhe buxheti origjinal kur është votuar në kohën e pandemisë nuk ka adresuar këtë situatë.

Ish-ministri i Financave theksoi se edhe ky rishikim nuk është adekuatë për situatën në të cilën gjendet vendi.

“Sa i përket rritjes ekonomike, uroj që sa më ulët të jetë rënie ekonomike, por norma ekonomike e paraparë me ketë rishikim me minus 3 përqind dhe rënia e të hyrave deri në 14 për qind, kjo është një diskrepancë ose jo profesionalizëm”, theksoi Hamza.

Anëtarja e Komisionit Mimoza Kusari Lila nga VV ka kërkuar që të ketë ulje të shpenzimeve siç tha ajo për infrastrukturë ose për asfalt për t’u përballë me gjendjen e rëndë të shkaktuar nga Covid-19.

“1.2 miliardë euro ishin paraparë nga kryeministri Hoti për rimëkëmbje, andaj nuk po e shoh këtë në rishikim të buxhetit. Tash keni ardhur në situatën mos me qenë në gjendje me i paguar 170 euro për punëtorë”, tha ajo, duke shtuar se nuk as strategji për t’u përballë me virusin.

Anëtari i Komisionit Shkëlzen Hajdini nga LDK-ja ka kërkuar që procedimi i këtij buxheti të ndodhë sa më parë, për arsye të mungesës së mjeteve në këtë kohë pandemie.

Fatmir Rexhepi anëtar nga LDK-ja theksoi se nëse nuk veprohet shpejt për miratimin e rishikimit të buxhetit, kriza do të thellohet edhe më tej.

“Sa më parë të votohet ky buxhet qysh në seancën e ardhshme, dhe bashkërisht ta përkrahim pasi që kriza në vend mund të thellohet”, tha Rexhepi.

Deputeti nga AAK, Gazmend Abrashi potencoi se pakoja emergjente prej 170 milionë euro që i adresohet kryesisht sektorit privat ka dilema nga sektori privat se në çfarë niveli është alokuar.

“Ka shumë paqartësi në ndarjet buxhetore për pakon emergjente, dhe deri ku ka mbërri kjo çështje, si dhe a janë të parapara mjetet për muajin mars dhe prill me rishikim?”, ka pyetur Abrashi.

Komisioni po vazhdon ende diskutimin për këtë pikë tash e dy orë.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë