Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka konfirmuar se pas rivotimi të së dielës në Tearcë të Tetovës nuk ka ndryshuar numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Në zgjedhjet e 11 dhjetorit VMRO DPMNE ka siguruar 51 deputetë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë 49 deputetë, Bashkimi Demokratik për Integrim 10 deputetë, Rilindja me Besën 5 deputetë, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe Partia Demokratike Shqiptare 2 deputetë.
Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, në bazë të rezultatit zgjedhor, edhe pas rivotimit mbetet me dy mandate më pak se VMRO- DPMNE. Kryetari i LSDM-s Zoran Zaev u shpreh i prerë, se partia që përfaqëson ai do të jetë ajo që do ta formojë Qeverinë e re të Maqedonisë. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev përgëzoi banorët e Tearcës duke thënë se ata me votën e tyre kanë konfirmuar gjendjen e përgjithshme në Maqedoni.
Pas rivotimit të së dielës në Tearcë, KSHZ-ja pritet të ҁertifikojë rezultatin zgjedhor, kurse më pas pritet konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe nisja e afateve për formimin e qeverisë së re.
Në bazë të Kushtetutës, mandati do t’i jepet partisë më të madhe fituese, në këtë rast VMRO-DPMNE-së, e cila ka nevojë edhe për mbështetjen e partive shqiptare për të siguruar shumicën parlamentare prej 61 deputetësh. Sipas nenit 63 të Kushtetutës, përbërja e re e Parlamentit grumbullohet në seancë konstituive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Seancën konstituive e cakton kryetari i Parlamentit nga mandati i kaluar.
Nëse nuk caktohet seancë në afatin e paraparë, deputetët mblidhen vet dhe e konstituojnë Parlamentin. Sipas Kushtetutës, presidenti i Maqedonisë është i detyruar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit t’i japë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë, gjegjësisht partive që kanë shumicë në Parlament./gazetametro.net