Romani i famshmëm “100 vjet vetmi” i Gabriel Garcia Marquez do të ekranizohet nga “Netflix”, trasnmeton Gazeta Metro.
52 vite pas botimit të librit, familja e Gabriel Garcia Marquez ka dhënë miratimin që romani të kthehet në film.
“Për shumë vite, babai nguroi t’i jepte të drejtat e librit pasi mendonte se realizimi në një gjuhë tjetër përveç spanjishtes do të ishte i padrejtë dhe i kufizuar. Megjithatë, në ditët e sotme me nivelin e lartë të shkrimit dhe të regjisë, cilësia e kinematografisë ka ndryshuar”, kanë thënë familjarët e tyre.
Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm.
Gabriel Garcia Marquez ka fituar çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 dhe konsiderohet si një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore dhe përfaqësuesi kryesor i rrymës së realizmit magjik. U nda nga jeta më 17 prill 2014./gazetametro.net