Me 6 vjet burgim është dënuar Bujar Shahini nga Gjykata në Ferizaj. Ai akuzohej se e ka rrahur një person me aftësi të kufizuar, i cili më pas kishte vdekur nga lëndimet e marra nga rrahja. Familja e viktimës është shumë e mllefosur me dënimin e dhënë sot, thotë avokatja e tyre.
Sot Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me gjashtë vite burgim Bujar Shahinin, për shkaktim të “lëndimit të rëndë trupor” ndaj 50-vjeçarit me aftësi të kufizuara Asllan Leskovci, i cili vdiq nga lëndimet e marra. Ngjarje ka ndodhur 21 shkurt 2021, në parkingun e pompës së derivateve në fshatin Bibaj të Ferizajt. Avokatja e palës së dëmtuar, Fehmije Gashi – Bytyqi, paralajmëron ankese në Gjykatën e Apelit dhe beson se kjo e fundit do ta rrisë dënimin.
E kontaktuar nga Gazeta Express, avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi, tha se i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë dhe se nuk ka pasur rrethana lehtësuese. Ajo tha se familja është shumë e mllefosur me vendimin e gjykatës.
“Pala e dëmtuar është e pakënaqur, dënimi ka qenë 5-15 vjet edhe ky s’e ka pranu fajësinë që ja kanë dhënë dënimin. Si përfaqësuese e palës së dëmtuar do të ushtroj ankesë kundër aktgjykimit kur të përpilohet. Unë e kam përfaqësu, nuk ka pas rrethana lehtësuese nuk e ka pranu fajësinë, do të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit… Besoj që gjykata e Apelit do ta ngrisë dënimin”, tha Gashi – Bytyqi.
Lidhur me cilësimin e veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, avokatja tha: “Ajo ka qenë kompetencë e prokurorit, familja më vonë më ka angazhu”.
“Familja është shumë e mllefosur…Ai s’ka pa 40 për qind dhe është vërejtë nga pamja që është person me aftësi të kufizuara. E kanë lanë në emergjencë edhe kane thënë në rrugë e kemi gjetë, edhe këpucën ia kanë gjujtë”, tha tutje avokatja.
Gazeta kishte raportuar se Bujar Shahni kishte qëndruar disa ditë në arrati, por më pas ishte dorëzuar në polici.
Si e rrahu brutalisht Shahini 50-vjeçarin?
“Betimi për Drejtësi” raporton se, sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Shahini, akuzohej se më 21 shkurt 2021, rreth orës 15:14, në parkingun e pompës së derivateve të naftës “Hib Petrol”, në fshatin Bibaj, Komuna Ferizaj, me dashje i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor A.L, person me aftësi të kufizuara.
Në akuzë thuhet se tani i ndjeri A., ishte në parkingun e “Hib Petrol”, duke biseduar me Osman Osmanin, kurse i pandehuri duke lëvizur me motoçikletën e markës “Yamaha”, atëherë tani i ndjeri e kishte fyer me fjalë duke ia sharë nënën, e pastaj ishte nisur në drejtim të aparateve për mbushje me derivate.
Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri ishte kthyer me motoçikletë në të njëjtin drejtim dhe ishte ndalur afër tani të ndjerit, i cili ishte ofruar afër motoçikletës duke e ngritur dorën lartë, kurse i pandehuri kishte zbritur nga motoçikleta dhe e kishte goditur me grusht në pjesën e fytyrës, nga e cila goditje tani i ndjeri ishte rrëzuar në shpinë duke u përplasur me pjesën e pasme të kokës në beton, ku kishte pësuar lëndime të rënda trupore – frakturë e bazës së kafkës dhe majtas deri në orbitë, të cilat lëndime shkaktojnë gjakderdhje të brendshme në tru.
Me këtë rast, thuhet se i njëjti transferohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë, ku ndërron jetë në ora 00:44 minuta.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga nen 186, par.5 lidhur me par.2, nënpar.2.1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Jeton Nuredini akuzohej se më 21 shkurt 2021, në Ferizaj nuk e kishte lajmëruar kryesin e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e tij.
Aktakuza thotë se derisa kishte qenë së bashku me shokun e tij, të pandehurin Bujar Shahini para pikës së derivateve “Hip Petrol” në fshatin Bibaj, i pandehuri Shahini e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin A.L, siç përshkruhet në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, atëherë i pandehuri Nuredini së bashku me të pandehurin Shahini, e dërgojnë të dëmtuarin me veturë deri në QMF-2 në Ferizaj, pa dhënë informacione për identitetin e tyre, me arsyetimin se të dëmtuarin e kanë gjetur në rrugë, pastaj i pandehuri me veturën e tij e kishte dërguar të pandehurin Bujar në shtëpinë e tij në fshatin Bibaj, kurse vet ishte thyer në shtëpi pa e paraqitur rastin në Stacionin Policor në Ferizaj, kurse i pandehuri Bujar, pastaj largohet nga Kosova.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga nen 378, par.1 nënpar.1.3 të Kodit Penal.