Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, reagoi ashpër ndaj Vjosa Osmani dhe Albin Kurti në një video-adresim, duke thënë se përplasja mes tyre nuk ndihmon opozitën, por dëshmon dëmin që po i bëhet vendit, transmeton Gazeta Metro.
Hoxhaj tha se perceptimi se përçarja politike mes dy figurave është e favorshme për opozitën, është i gabuar.
“Armiku i armikut tim është miku im. Kështu mendonin romakët, kështu po mendojnë ende disa sot në Kosovë se armiqësia politike në mes të ish-Presidentes dhe ish-kryeminitrit është në favor të opozitës”, deklaroi ai.
Ai shtoi se të dy liderët kanë ardhur në pushtet me një premtim që nuk është realizuar, duke e quajtur situatën si një zhgënjim për vendin: “Këta të dy, që rrejshëm erdhën në pushtet si një koalicion i shpresës, u treguan që janë boshti i së keqes”.
Deputeti i PDK-së akuzoi dy figurat politike për veprime që sipas tij kanë dëmtuar interesin shtetëror dhe funksionimin demokratik, derisa tha se veprimet e ish-liderëve kanë sjellë pasoja negative për institucionet, shtetin dhe shëndetin demokratik të vendit, duke dëmtuar si qytetarët ashtu edhe opozitën
“Njëra godiste tjetrin që po luan bixhoz me interesat e Kosovës. Në fakt që të dy kanë luajtur bixhoz me shtetin, demokracinë, shoqërinë dhe mediat në Kosovë. Që të dy kanë goditë gjithashtu opozitës, duke ia pamundësuar asaj vitin e kaluar për të pasë një kandidat për kryeministër apo duke caktuar edhe një datë të pafavorshme për zgjedhje”, tha Hoxhaj./gazetametro.net