Situata epidemiologjike me gripin sezonal në Kosovë po alarmon institucionet shëndetësore.
Vetëm në Klinikën emergjente pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndihmë mjekësore brenda 24 orëve kërkojnë mbi 100 fëmijë.
Kështu ka deklaruar drejtori i kësaj Klinike, Muharrem Avdiu.
“Janë rreth 100 fëmijë që gjatë ditës kërkojnë ndihmë mjekësore në emergjencën e Klinikës së Pediatrisë, derisa ndodh që deri në 25 raste t’i shtrijmë në klinikë”, ka thënëAvdiu.
Gjithashtu Avdiu tha se, sa i përket furnizimit me barna, nuk qëndrojmë mirë. Është vështirë se do të mund t’i përcjellim të gjithë pacientët fëmijë. Terapinë dhe barnat e sigurojnë prindërit, derisa me ato që i posedojmë i trajtojmë ne.
“Në këto ditët e fundit, nuk kemi vende të lira në Klinikën e pediatrisë prej numrit të madh të rasteve që është dashur t’i pranojmë”, ka thënë Avdiu, shkruan REL.