Loading…

Rreth 200 mijë euro investime në QKUK, që shkuan dëm

  • 11/11/2021 | 21:13

Rreth 200 mijë euro investime në QKUK, që shkuan dëm

Salla e vetme për kryerjen e operacioneve në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është jashtë funksionit, megjithëse rinovimi i saj kushtoi hiq më pak se 200 mijë euro.


Rreth 200 mijë euro janë shpenzuar për blerjen e pajisjeve për rinovimin e kësaj salle të operacionit, por edhe një vit pas përfundimit të punimeve, salla ka mbetur jashtë funksionit.

Duke qenë se salla nuk është funksionalizuar, operacionet plastike kryhen nëpër klinika tjera të QKUK-së.

U.D e drejtores në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, Violeta Zatriqi ka thënë se salla nuk i plotëson kushtet për operim.

“Në tërësi është e pamundur të rregullohet sepse është jashtë bllokuar operativ, tavani është nën nivelin e duhur, nuk mund të ngritet lartë drita, duhet të jetë në nivelin e duhur e jo të jetë mbi kokë të operatorit”, tha Zatriqi për REL.

Punimet janë kryer kur drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Plastike ishte Zejn Buja.

Ai nuk ka pranuar të jap shpjegime në lidhje me gjendjen e kësaj salle.

“Nuk kam kohë dhe nuk jam i interesuar për intervista”, dëgjohet të thotë ai.

Muret e kësaj salle kanë filluar të mbledhin myk, ndërkaq lavamani që ishte i dedikuar për tu përdorur nga mjekët ka filluar të ndryshket dhe nga katet lartë rrjedh uji.

Vendi ku duhet të kryhen operimet ka qasje në korridoret ku lëvizin pacientët dhe familjarët e tyre, e kjo sipas mjekëve e rrit rrezikun për infeksione.

Diana Metushi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se se shumë investime në Kosovë bëhen pa planifikim paraprak.

“Hyjmë në investime, edhe pse është një premtim i mirë, ose pse na duhet si investim i mirë dhe pastaj rezultojmë me një investim të dështuar, që as nuk e gëzon qytetari e as stafi profesional që e shfrytëzon atë, edhe i kemi humbë paret se ndoshta kemi mundur të investojmë diçka me esenciale, kjo është bllokim i parave, apo investim pa kthim mrapa”, tha ajo.

Besim Kodra nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë shprehet se viteve të fundit ka pasur edhe investime tjera të papërdorshme në QKUK.

“Kemi pasur shumë raste ku është investuar në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, qofshin spitalore apo të ambulantave, dhe ka aparatura që kanë mbetur aty, në depotë e institucioneve dhe nuk shfrytëzohen. Një e tillë është edhe reparti që e përmendet ju, i cili nuk po shfrytëzohen dhe pacientët detyrohen që shërbimet shëndetësore t’i marrin në jashtë institucioneve publike”, tha Kodra.

Zyrtarët e QKUK-së nuk kanë dhënë informacione se çfarë do të bëhet me sallën e Kirurgjisë Plastike.

Deri atëherë, pacientët që kanë nevojë për intervenime në lëkurë duhet të drejtohen në spitale private ose jashtë shtetit, sepse në sallat akternative që ofron QKUK-ja nuk mund të kryhen më shumë se pesë operacione në ditë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë