Loading…

Rreth 40 mijë punëtorë në pritje të 900 eurove, flasin nga Ministria e Financave

  • 07/01/2021 | 19:37

Rreth 40 mijë punëtorë në pritje të 900 eurove, flasin nga Ministria e Financave

Janë bërë një muaj që nga miratimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Me aprovimin e këtij Ligji i është hapur rruga ndarjes së 300 eurove për tre muaj për punëtorët e sektorit privat që e kanë humbur vendin e punës përgjatë periudhës së pandemisë. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Edhe pse për implementimin e kësaj mase u tha se është i nevojshëm miratimi i Ligjit të Buxhetit për vitin 2021, nga Ministria e Financave po thonë se këto mjete nuk janë përfshirë në këtë Ligj, i cili u votua me 28 dhjetor.


Agim Krasniqi zëvendësministër i Financave ka thënë për Express, se mjetet që janë ndarë për Pakon për Rimëkëmbje Ekonomike nuk janë përfshirë në Ligjin për Buxhetin. Kësisoj sipas tij në këtë Ligj nuk janë përfshirë as 2 milionë euro që sipas Pakos, pritet tu ndahen punëtorëve të sektorit privat që kanë mbetur të papunë gjatë pandemisë.

“Ne Ligj të Buxhetit programi për Rimëkëmbje ka mbetur ashtu siç është dërguar nga Qeveria në fillim. Aty është shtuar vetëm një pozicion, ai i vaksinës ora 40 milionë. Të gjitha pozicionet e tjera janë siç kanë qenë në Qeveri. Është proklamuar ndarja e 300 eurove për tre muaj për punëtorët e sektorit privat që kanë mbetur të papunë. Këto mjete fare nuk janë përfshirë në Ligjin për Buxhetin”, ka thënë ai, për Express.

Sipas Krasniqit ndarjen e këtyre mjeteve, Ministria e Financave mund ta bëj vetëm me vendime të veçanta të Qeverisë.

“Ndarja e këtyre mjeteve mund të bëhet vetëm me lëshimin e disa vendimeve të Qeverisë, se sa do të shkojnë për bizneset e sa për punëtorët. Pra deklarimet se 2 milionë euro do të ndahen për punëtorët që kanë mbetur pa punë nuk janë në kuadër të Buxhetit. Ndarja e tyre mund të bëhet vetëm me vendime të veçanta”, ka thënë ai për Express.

Në ndërkohë, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Publik, ka thënë për Express, se në pritje të këtyre mjeteve janë rreth 40 mijë punëtorë që kanë mbetur të papunë gjatë kohës së pandemisë.

“Përfitues të mjeteve 3×300 euro, mund të jenë 35-40 mijë punëtorë sipas statistikave tona. Përndryshe kemi pasur rreth 100 mijë punëtorë që kanë qenë në sistem gjatë këtij viti dhe mbi 60 mijë punëtorë nuk do të kenë të drejtë të përfitojnë sepse pronarët e kompanive nuk kanë paguar kontribute të tyre dhe nuk kanë kontrata pune. Këta e humbin këtë të drejtë”, ka njoftuar Azemi.

Në ndërkohë Kujtim Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që ishte iniciues i kësaj mase tha se implementimi i saj është në dorën e Qeverisë.

“Tani kjo është përgjegjësi e Qeverisë, meqë ajo duhet ta implementojë Pakon”, ka thënë Gashi.

Express ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit por të njëjtin nuk janë përgjigjur atyre.

Sipas këtij projektligji, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës.

Po ashtu në bazë të projektligji do të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë