Loading…
Rreth pesë biznese shuhen çdo ditë në Kosovë
  • 13/06/2019 | 19:37

Rreth pesë biznese shuhen çdo ditë në Kosovë

Që nga viti i kaluar në Kosovë për çdo ditë rreth pesë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre dhe kanë kaluar në statusin e bizneseve të shuara. Sipas përfaqësueseve të bizneseve, këto shifra janë shqetësuese dhe kërkojnë nga autoritetet kompetente që të mundohen të gjejnë arsyen e shuarjes së bizneseve.

Statistikat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se gjatë tërë vitit të kaluar janë shuar 1893 biznese, të cilat nëse zbërthehen, i bie se më shumë se pesë biznese shuhen brenda një dite. Kurse nga fillimi i këtij viti e deri më tani, janë shuar 787 biznese, apo më shumë se katër biznese në ditë.

Shumica e bizneseve të shuara i takojnë tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga hoteleria dhe akomodimi, industria përpunuese, prodhimtaria dhe ndërtimtaria.

Përderisa në Ministrinë e Tregtisë nuk kërkohet ndonjë arsye e veçantë për procedurat e shuarjes vullnetare të bizneseve, përfaqësues të komunitetit të biznesit, konsiderojnë se mes arsyeve për shuarjen e aktivitetit, afaristët vazhdimisht kanë përmendur rënien e fuqisë blerëse, rritjen e kostos për mirëmbajtje të biznesit, moszbatimin e ligjeve, konkurrencën dhe barrën fiskale.

Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se trendi i shuarjes së bizneseve në Kosovë është përafërsisht i njëjtë me vendet e rajonit. Sipas një hulumtimi të kësaj aleance, thuhet se në dy dekadat e fundit, rreth 2000 biznese mbyllin veprimtarinë e tyre brenda një viti, kryesisht biznese me më shumë se dy punëtorë.

“Përgjigjet e afaristëve të cilët i kanë mbyllur bizneset janë të ndryshme. Sipas tyre, bizneset shuhen për shkak se e humbin fuqinë konkurruese karshi monopoleve të krijuara në Kosovë. Pastaj, taksat janë të lartë dhe nuk mund të krijojnë produktivitet për aktivitetin e tyre, nuk kanë qasje në tenderë, grante dhe donacione sepse nuk kanë afërsi me zyrtarë të politikës, ekonomia joligjore që është mbi 30 për qind, e që kjo ndikon drejtpërdrejtë te ta”, thotë Shahini.

Skënder Krasniqi, kryetar në Odën e Afarizmit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se numri i shuarjes së bizneseve tregon për mosgatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të krijuar ambient të favorshëm për mbijetesë të bizneseve pas regjistrimit.

Ai thotë se në Kosovë procedurat për regjistrimin e bizneseve janë të lehtë, përderisa procedurat për mbyllje shumë të komplikuara.

“Në Kosovë mund të hapet fabrikë pa qenë prezent fare, dhe ndoshta pa u informuar komuna përkatëse se po hapet fabrikë në atë komunë. Ky është një problem shumë i madh që institucionet duhet ta zgjidhin. Sepse nuk është lehtësim për të bërë biznes, duke thjeshtësuar procedurat për regjistrimin e biznesin. Lehtësim është duke ofruar mundësi dhe kushte për të bërë biznes, në mënyrë që në vend të ketë zhvillim të ekonomik”, tha Krasniqi.

Edhe Agim Shahini dyshon se numri i bizneseve shuara mund të jetë më i lartë, por për shkak të procedurave të shumta për mbyllje të tyre, sipas tij, shumë biznese, mbesin në statusin joaktiv.

“Ne na shqetëson situata pse bizneset shuhen apo kalojnë në pushim të aktiviteteve. Janë dy arsye që bizneset kalojnë pasive, pasi procedurat e mbylljes janë tepër vështirësuara, tepër të ngarkuara dhe bizneset nuk hyjnë në proceduar për të shuar veprimtarinë, por mbesin joaktive. Kurse në evidenca të institucioneve përkatëse ato ekzistojnë si biznese aktive, gjë që na mungojnë shifrat e sakta se sa biznese janë aktive”, thekson ai.

Sidoqoftë, përveç numrit të mbylljes së veprimtarive të bizneseve, rritje ka shënuar edhe regjistrimi i bizneseve të reja.

Gjatë vitit të kaluar, në Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë janë regjistruar 9690 biznese ose mbi 25 biznese për një ditë në nivel vendi.

Më të fundit
...
  • 18/07/2019 | 23:39
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë