Loading…

Rreth trazirave në Shqipëri

  • Nga

  • QENDRIM BADALLI

  • 12/12/2020 | 19:41

Rreth trazirave në Shqipëri

Rreth trazirave në Shqipëri Vrasja e Klodian Rashes nga një efektiv në Shqipëri ditë më parë ka ngjallur tensione publike, sociale dhe politike të cilat po manifestohen edhe me protesta të dhunshme nga një grup personash.


Shkruan: Qendrim Badalli 

Nga disa media atje, nga disa opinionist dhe nga eksponent opozitar të Qeverisë kjo vrasje po klasifikohet si vrasje shtetërore. Është e qartë që ka përpjekje për kapitalizim politik të rastit por ky klasifikim është i paqëndrueshëm dhe tendencioz. Që një vrasje të jetë shtetërore nevoitet që me fakte të verifikuara të deshmohet se ka pasur vendim për vrasje nga kreu i Qeverisë tek Ministri i Brendshëm, nga Ministri i Brendshëm tek Drejtori i Policisë, nga Drejtori i Policisë tek efektivi në rrugë.

Kjo nuk ka ndodhur. Në hirarkinë shtetërore përgjegjësia juridike dhe institucionale është individuale dhe jo kolektive, prandaj përpjekja për ta shtetëzuar dhe shtrirë përgjegjësinë në gjithë strukturën shtetërore nuk qëndron. Kjo jo vetëm që nuk është vrasje shtetërore por kjo nuk pasqyron as nivelin e Policisë së Shtetit dhe sigurisë atje. Vrasjet nga efektivët në Shqipëri nuk janë vrasje sistematike, të planifikuara, me urdhër nga lartë, të organizuara nga grupe brenda policisë etj. Ky është një rast i izoluar. Padiskutueshëm se tragjik.

Policë të papërgjegjeshëm ka gjithkund në botë dhe ata duhet te dënohen, por vetëm me një rast s’mund të njëlloset e tërë policia, i tërë sistemi. Sa i takon rrafshit politik, një vrasje e tillë s’mund ta rrezojë nga pushteti një lider, as në Shqipëri dhe askund tjetër, ajo thjeshtë ka kosto politike nese nuk menaxhohet mirë nga Qeveria. Fjalimi i Edi Ramës ku dënoi ashpër ngjarjen dhe dorëheqja morale e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, kanë neutralizuar dukshëm situatën, si lëvizje të drejta dhe racionale, së pari njerëzore pastaj edhe politike. Megjithatë, në gjithë këtë ngjarje, Rama bëri një gabim. Ai u vonu pak ne drejtimin e tij ndaj qytetarëve.

Në raste të tilla specifike dhe tragjike, të shoqëruara me protesta të dhunshem para Kryeministrisë, reagimi do te duhej të ishte shumë më i shpejt. Pikerisht reagimi i tij i vonuar u shfrytëzua nga kundërshtarët e tij qe ta paraqesin si mospërfillës dhe arrogant, që nuk brengoset për gjithë qytetarët por vetëm për një rreth oligarkësh. Në rrethana kur vendi është para zgjedhjeve, dhe ku Qeveria atje vazhdimisht sulmohet se i shërben vetëm klasës së lartë, edhe incidenti me i vogël me ngjyrime sociale dhe shtetërore mund të ketë faturë të lartë politike.

Prandaj, Rama është dashur që shumë më shpejt t’i drejtohet familjes së të ndjerit dhe qytetarëve për ta rikthyer moralin qytetar, sigurinë e stabilitetin, pasi paraprakisht u goditen nga rasti në fjalë. Në fund, protesta është një e drejtë elementare qytetare dhe demokratike, dhe është krejt e kuptueshme që në raste tragjike të ketë solidarizim kolektiv, por dhuna ndaj institucioneve dhe ndaj hapësirës publike është antiligjore dhe jodemokratike. Nëse qytetarët atje janë të interesuar ta ndryshojnë pushtetin, këtë mund ta bëjnë brenda pak muajve, ashtu siç ndryshohen pushtetet në kohë moderne, përmes zgjedhjeve të lira e demokratike. Dhuna nëpër rrugë vetëm sa do t’i rris tensionet dhe do ta dëmtojë më së shumti vet opozitën në prag të zgjedhjeve atje.

(Qendrim Badalli është sociolog dhe opinionist kosovar).

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë