Në 6 dhjetor pritet që Senati Italian të miratojë një ligj, që shtrëngon kushtet për zhvendosjen e kompanive call center në një territor jo të Bashkimit Europian, i cili rrezikon të mbyllë të gjithë kompanitë Call Center në Shqipëri.
Këto amendime u miratuan në 24 nëntor në mbrëmje në Dhomën e Deputetëve dhe nëse kalohen nga Senati marrin formën përfundimtare.
Këto ndryshime ligjore kanë alarmuar drejtuesit e kompanive shqiptare, që po lobojnë kundra tyre që nga muaji janar kur dhe ato janë hedhur në diskutim. Ines Muçostepa, drejtuese e një prej kompanive të mëdha të thirrjeve telefonike në Shqipëri, “Albacall”, thotë se nëse këto ndryshime do të miratohen, Shqipëria dhe të gjithë vendet jo anëtare të BE-së do të cilësohen si vende të pasigurta dhe për këtë arsye me kalimin e ligjit në senat pritet që pjesa më e madhe e tyre të mbyllen.
Në Shqipëri, deri në fund të vitit 2015 numëroheshin 847 kompani call center, me mbi 25 mijë të punësuar, sipas të dhënave nga tatimet. Muçostepa tha për Monitor se ky ligj i ka vënë në shumë vështirësi dhe rrezikon mbylljen e menjëhershme të 10,000 vendeve pune. Megjithatë asnjë prej investitorëve që kanë investuar këtu nuk pritet të kthehen në Itali, për shkak të taksave të larta atje. Destinacionet më të mundshme në rast të aprovimit të ligjit janë Rumania, Sllovenia dhe Bullgaria, që janë anëtare të BE-së.