Rrëzimi i Qeverisë Haradinaj i mbron kufijtë e Kosovës, kjo pasi numri një i Qeverisë së Kosovës me vendosjen e taksës dhe bllokimin e dialogut, po i kontribuon drejtpërsëdrejti projektit të korrigjimit të kufirit, përkatësisht po i përgatit rrethanat në terren për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.
Shkruan, Faton Abdullahu
Kohëve të fundit Qeveria Haradinaj vazhdimisht po mundohet në mënyra të ndryshme ta dëshmoj se me politikat e veta e sidomos me vendosjen e taksës 100% ndaj mallrave të Serbisë po e mbron tërësinë territoriale të Kosovës, përkatësisht mos ndryshimin e kufirit me fqiun verior, apo thënë edhe më saktë po e mbron Kosovën nga propozimi i Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit i cili në të vërtetë nënkupton edhe shkëmbim të territoreve me Serbinë.
Edhe pse ky nuk ishte qëllimi i vendosjes së taksës nga qeveria aktuale, sepse taksa u vendos si përgjigje ndaj diplomacisë agresive të Serbisë ndaj vendit tonë si dhe kundërshtimit të saj që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL, ky element shtesë u determinuar nga zhvillimi i rrethanave të reja ku, kundërshtimi i propozimit për korrigjimin e kufirit çuditërisht nuk erdhi nga Brukseli por ndaras nga dy anëtarët e saj më me ndikim Franca dhe sidomos Gjermania.
Kështu taksës populiste që më së shumti i solli përfitime Qeverisë Haradinaj e më së paku qytetarit të Kosovës, iu mvesh edhe një dimension i ri, bile me arsyetime e lëvdata thua se me këtë taksën, Haradinaj po i mbron kufijtë e Kosovës më shumë se vetë NATO-ja.
Për më shumë Qeveria, përkatësisht Kryeministri Haradinaj, po mundohet ta justifikoj qëndrimin se me një masë administrative siç është taksa, ka ndërprerë dialogun e dëmshëm me Serbinë, se po e mbron integritetin territorial të Kosovës, se po i mbron dhe avancon bizneset vendore, po e forcon shtetndërtimin dhe po e ngrit reputacionin e dëmtuar të shtetit të pavarur të Kosovës në rajon dhe para faktorit ndërkombëtar.
Krejt këto janë nonsense. Në të vërtetë është mu e kundërta. Përderisa është në pushtet koalicioni PAN, përkatësisht Qeveria Haradinaj, propozimi për korrigjimin e kufirit me Serbinë nuk mund të ndalet në asnjë variant.
Jo pse akterët kryesor të saj Thaçi dhe Vuçiq, dhe jo vetëm këta, janë ende në pushtet dhe që të dy ende me shumë ndikim në shtetet e veta, por edhe për arsye të tjera edhe më të forta. Në rend të parë nuk mund të ndalet ashtu siç do të duhej dhe siç e kërkojnë procedurat, e kjo nënkupton që vendimi kundër korrigjimit të kufirit në Kuvend, duhet të ketë legjitimitet demokratik.
Kjo do të thotë një vendim kundërshtues i cili arrihet duke respektuar edhe rregullat primare të demokracisë, pra pasjen e shumicës e cila nevojitet për raste të tilla. Ndërkohë koalicioni PAN tash sa kohë nuk e ka këtë shumicë. Ky koalicion i cili ka ardhur në pushtet, pra ka siguruar shumicën e domosdoshme me Listën Serbe, sot edhe pse në pushtet, ka një pakicë dhe në shumë segmente është jo funksional.
Kjo gjendje duhet të zhbllokohet. Mënyra më e mirë është rrëzimi i Qeverisë Haradinaj. Sa më shpejt aq më mirë dhe këtë për shumë arsye. Një nga ato është se me atë çfarë po bënë dhe sidomos me atë që nuk po bën tash sa kohë Qeveria aktuale në veri të vendit, po i kontribuon drejtpërsëdrejti projektit të korrigjimit të kufirit, përkatësisht po i përgatit rrethanat në terren për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.
Ta kujtojmë këtu faktin se u desh intervenimi i SHBA-s përmes Aambasadorit Kosnett që të zhbllokohet KQZ-ja dhe të mbahen zgjedhjet në katër komuna në veri, kryetarët e të cilave kishin dhënë dorëheqje në shenjë proteste për vendosjen e taksës. Veriu i vendit edhe pse kohë të gjatë refuzues ndaj institucioneve tona, kurrë s’ka qenë më i t’huajsuar nga pjesa tjetër e Kosovës.
Ndërkaq politikat e Brukselit dhe të Prishtinës zyrtare për integrimin e komunitetit serb kanë marrë fund me ardhjen e koalicionit PAN në pushtet. Thënë përmbledhtazi koalicioni PAN dhe Qeveria Haradinaj ashtu sikundër që nuk po mund t’i shtyjnë përpara shumë procese të rëndësishme për vendin, një nga të cilat është dialogu me Serbinë, ashtu edhe nuk mund ta ndalin propozimin për korrigjimin e kufirit.
Së pari ky koalicion është shumë i përçarë për të marrë vendime të rëndësishme. Ndërkohë këtë koalicion, unike nuk po e bënë as edhe domosdoja kruciale për të qenë efikas në politikat kundër agresivitetit jo vetëm diplomatik të Serbisë. Ndërkaq, ky koalicion i pakicës i cili qeverisë duke mos e pasur as shumicën e thjeshtë, sa më gjatë që do të jetë në pushtet aq më shumë do ta lë aktive, bile edhe do ta forcojë, propozimin për korrigjimin e kufirit, sado që trumbeton pa rreshtuar se është kjo Qeveri ajo që i ka dhënë tashmë fund shkëmbimit të territoreve me Serbinë.
(Autori është analist politik. Teksti është i shkruar enkas për Gazetën Metro)