Loading…

Rritet numri i të prekurve nga kanceri

  • 22/04/2017 | 13:46

Rritet numri i të prekurve nga kanceri

Në tremujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë diagnostikuar 378 persona me kancer. Këto të dhëna janë konfirmuar nga zyrtarët e Institutit Onkologjik, sipas të cilëve, krahasuar me numrin e të prekurve me kancer viteve paraprake, rastet me këtë sëmundje kanë shënuar rritje.


Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në periudhën e njëjtë kohore të vitit 2016, janë diagnostikuar 278 raste me kancer.

“Kjo rritje do të ketë ndikim të madh si në shpenzimin e ilaçeve, por edhe në kapacitetet njerëzore dhe në aparaturë. Ky trend ka qenë i parashikuar, pasi numri që ka qenë më herët, ka treguar numrin më të vogël në Evropë dhe ne nuk mund të jemi të ndryshëm nga njerëzit tjerë të botës. Pra, parashihet të përmbyllet viti 2017, me rreth 1700 raste të reja, dhe do të jetë një rritje dukshëm më e madhe krahasuar me vitet paraprake”, ka thënë Hyseni.

Ndryshe, viti 2015 është përmbyllur me 808 raste të prekurve me kancer. Derisa viti 2014, me 760 raste.

Ndërkaq, sa i përket vdekjeve nga kanceri në botë, aktualisht janë 8.2 milionë raste në vit, derisa deri në vitin 2030 deri në 13 milion. Në vendet me buxhet të ulët do të shtohen për 70 për qind rastet e vdekjeve, derisa në vendet e zhvilluara deri në 30 për qind, dhe kjo arsyetohet me faktin se vendet e zhvilluara kanë programe strategjike për parandalim të sëmundjes.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtori i departamentit për informim, Faik Hoti, ka deklaruar se në vazhdimësi është rritur buxheti për citostatikë, barna këto për trajtimin e sëmundjeve malinje, dhe në bazë të kërkesave që marrin nga Instituti Onkologjik, do të shqyrtohet mundësia e shtimit të resurseve humane.

“Vendet e zhvilluara kanë programe të posaçme për parandalim. Kjo bën që vdekshmëria e të prekurve me kancer të jetë 30 për qind, krahasuar me 70 për qind sa e kanë vendet e pa zhvilluara dhe me buxhet të ulët” ka thënë Suzana Manxhuka-Kërliu, kryetare e Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit dhe gjithashtu e Task Forcës Kosovare kundër Kancerit

Profesionistë shëndetësorë thonë se kanceri i mushkërive dhe ai i organeve tretëse është më i shpeshti te meshkujt, derisa kanceri i gjirit prin si sëmundje te femrat.

Si rrjedhojë, në Kosovë në vitin 2015, është vënë në shërbim të grave mamografi mobil, përmes së cilit gratë mund të bëjnë falas kontrollin e gjirit.

Zyrtarë shëndetësorë kanë deklaruar se vetëm gjatë vitit 2016, në gjithë Kosovën, përmes këtij mamografi janë zbuluar rreth 50 raste me kancer në gji.

Ata thonë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin pozitivisht në parandalimin e sëmundjes së kancerit, si ndalimi i tymosjes së duhanit, pasi që një ndër shkaktarët e sëmundjes së kancerit të mushkërive, shkaktohet pikërisht nga tymosja.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë