Ilir Kurteshi, onkolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka thënë e vitin e shkuar ka pasur rritje të numrit të pacientëve nga sëmundja e kancerit.
Ai ka deklaruar se kjo është rrjedhojë edhe e evidentimit më të mirë të këtyre rasteve, njofton Klan Kosova.
“Në klinikë kemi pasur rritje për 30 për qind të rasteve gjatë vitit të shkuar. Por kjo nuk është vetëm rrjedhojë e rritjes së numrit të të sëmurëve, por edhe për shkak të evidentimit. Krahasuar me vendet e rajonit dhe vendet e zhvilluara ne kemi më pak të prekur nga kanceri”.
Kurteshi më tutje ka thënë se Reparti i Onkologjisë është i përgatitur për të trajtuar në nivel të duhur të gjithë pacientët që kërkojnë trajtim mjekësor, ndërsa ka dhënë këshilla për shmangie nga shkaktarë të ndryshëm të kancerit.
“Në onkologji kemi staf të mjaftueshëm të mjekëve dhe infermirëve që trajtojnë të sëmurit me metodat më moderne. Vitin e shkuar kemi qenë mirë të furnizuar me medikamente”.
“Shkaktarët e kësaj sëmundje janë të ndryshëm, në disa nga të cilët mund të ndikohet, derisa në të tjerë jo. Populli duhet të ketë kujdes nga rrezatimi, duhani dhe shkaktarë tjerë”.
“Sot kemi mbajtur një aktivitet në organizimin e Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, për të dhënë informacione më të shumta për këtë sëmundje”.