Rritja e çmimeve të derivateve po rëndon ndjeshëm sektorin bujqësor, duke e bërë më të kushtueshme sezonin e mbjelljeve pranverore për fermerët, përcjell Gazeta Metro.
Gani Dobratiqi për Rtv Dukagjini tha se për të mbushur rezervuarin e traktorit tani paguan shumë më tepër se vitin e kaluar.
“Ka me ndiku negativisht tek fermerët, d.m.th. vitin e kalum nëse e ke përgatit 1 hektarë misër me mbjellë me pijatore ose me fresë, ka kushtu diku maksimum 30 deri në 40 euro. Kurse këtë vit ka me mbrri deri në 100 euro”, deklaroi Dobratiqi.
Ai shtoi se përveç naftës, janë shtrenjtuar edhe inputet bujqësore dhe ushqimi për kafshë, duke paralajmëruar ulje të sipërfaqeve të mbjella nëse nuk ka mbështetje institucionale.
“Janë inputet bujqësore, si farat, plehnat, këto kanë fillu prej luftës në Ukrainë, kurse ushqimi I kafshëve ka fillu prej thatësisë që ka mbizotëru vitin e kaluar, psh, një dugë sanë vitin e kalum ka kushtu 1 euro, 1.50, kurse këtë vit ka mbërri deri në pesë euro, edhe ushqimi i kafshëve. Veç buka nuk është shtrejtu shumë, mielli…”, theksoi Dobratiqi.
Edhe qytetarët po ndjejnë barrën e çmimeve, duke kërkuar masa lehtësuese nga qeveria.
“Kjo ndikon shumë, minimum e ki një rezervarë më shumë kur e llogarit”, thotë Artan Hyseni. Ndërsa Rrahman Duli propozon ulje taksash: “Ma merr mendja që Qeveria mundet me heq, ndonjë akcizë a TVSH, sot e dëgjova që Maqedonia e ka heq një taksë, edhe këtu mundet Qeveria me heq ndonjë masë, me ndihmu pak shtetin”.
Nga Organizata “Konsumatori” kërkohet ndarje e barrës financiare me qytetarët. Ndërkohë, Shoqata e Naftëtarëve paralajmëroi se situata mund të përkeqësohet, pasi çmimi aktual i shitjes është afër atij të importit./gazetametro.net