Loading…

Rritja e rasteve me virusin korona, disa shkolla në vend në mësim online

  • 20/01/2022 | 08:13

Rritja e rasteve me virusin korona, disa shkolla në vend në mësim online

Rritja e numrit të nxënësve të infektuar me koronavirus ka bërë që disa shkolla në vend të kalojnë në skenarin C të mësimit, atë online.


Deri tani në Prishtinë në mësimin online kanë kaluar shkollat fillore “Ismail Qemali”, “Faik Konica”, dhe në Gjakovë tri shkolla “Yll Morina”, Shkolla e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari ” dhe Shkolla e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha”.

Edhe në Pejë ka raste të fëmijëve dhe mësimdhënësve të infektuar me coronavirus por që ende nuk ka shkolla që kanë kaluar online.

Duke u bazuar në udhëzimet e IKSHPK-së, rekomandohet se nëse në numrin e përgjithshëm të nxënësve ka 5 për qind të infektuar, atëherë shkolla duhet të kalojë në skenarin C (online).

Të mërkurën u njoftuar se rritja e numrit të nxënësve me coronavirus ka bërë që shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë nga sot të kalojë në skenarin C, apo online.

Dhe meqenëse është kaluar kjo përqindje, Telegrafi mëson se Task Forca e shkollës “Faik Konica” ka marrë vendim që shkolla ta zhvillojë procesin mësimor sipas skenarit C (online) nga data 20 janar deri më 29 janar 2022.

Ndërsa, në fillim të javës në skenarin C ka kaluar edhe shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Po ashtu mësohet se edhe në shkollën fillore “Meto Bajraktrari”, ka rritje të numrit të nxënësve me COVID-19.

Ndërkaq, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë, Komuna e Prishtinës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë të shkollës, që prej disa ditësh është duke bërë furnizimin me teste të shpejta antigjen përmes pështymës për COVID-19.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.

Sipas komunës, deri më tani testet antigjen janë shpërndarë nëpër tetë institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme të larta, kryesisht me numër të madh të nxënësve në zonat urbane.

Në ditët në vijim mbetet të përfshihen edhe zonat periferike të kryeqytetit.

Edhe në Gjakovë ka shkolla që kanë kaluar që nga fillimi i javës në skenarin C të mësimit.

Në një postim në Facebook, Drejtoria për Arsim bëri njoftoi se shkollat që kanë kaluar online janë “Yll Morina”, Shkolla e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari ” dhe Shkolla e Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha.

“Ju lutemi merrni masa në shkolla, maska dhe dezinfektues të domosdoshme, klasat të ajrosen kohë pas kohe dhe të jeni të kujdesshëm nëse nxënësit dalin me ndonjë simptomë në shkollë.

Ne jemi duke i marr informatat për çdo shkollë dhe nëse eventualisht kemi rritje të rasteve do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet më tej.

Ndërkaq, në shkollat e Pejës janë 64 nxënës dhe 9 mësimdhënës të infektuar me COVID.

Zëdhënësi i komunës së Pejës, Arianit Demaj tha për Telegrafin se mësimi është duke u zhvilluar me prani fizike në të gjitha shkollat dhe se nuk ka tendenca për t’u mbyllur.

Zëdhënësi i komunës Pejës më tej tha se deri në orën 16:00 të së martës, sipas shifrave zyrtare janë 64 nxënës dhe 9 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv me COVID.

“Gjendja nuk është alarmante dhe nuk ka tendenca për të mbyllur shkollat… Nuk ka asnjë kërkesë nga Drejtoritë e shkollave”, tha Demaj.

Më tej, ai tha se nëse mësimdhënësit vërejnë ndonjë nxënës me simptoma atëherë ai këshillohet për të vizituar pediatrin, i cili vendosë nëse duhet ta bëj testin ose jo.

Ndryshe, vetëm të mërkurën në vend janë shënuar 2,050 raste të reja me coronavirus.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë