Loading…

RTK i ‘përshpejton’ zgjedhjet komunale

  • 31/01/2017 | 14:23

RTK i ‘përshpejton’ zgjedhjet komunale

RTK-ja në planifikimin e buxhetit për periudhën janar-mars 2017 ka përfshirë edhe kërkesën për 25 mijë euro për zgjedhjet komunale, pavarësisht faktit se këto zgjedhje do të duhet të mbahen në pjesën e fundit të këtij viti, pra në nëntor 2017.


Edhe pse zgjedhjet komunale nuk planifikohen të zhvillohen në fillim të këtij viti, RTK-ja në planifikimet e saj buxhetore për periudhën janar-mars 2017 ka paraparë edhe shpenzimin e 25 mijë eurove për zgjedhjet komunale.

Televizioni publik planifikimin e shpenzimeve për tre muajt e parë të këtij viti i paraqiti për shqyrtim në Komisionin për Buxhet e Financa. RTK-ja për periudhën janar-mars 2017 planifikon të marrë nga buxheti i shtetit 2 milionë e 750 mijë euro.

Anëtarja e komisionit Labinota Demi-Murtezi u çudit me planifikimin e 25 mijë eurove për zgjedhjet lokale në këtë periudhë të vitit.

“Zgjedhjet komunale në 3 mujor, e çuditshme. Apo ju dini diçka më shumë se ne dhe e keni pasë për zgjedhjet e përgjithshme,” pyeti përfaqësuesit e RTK-së deputetja Demi-Murtezi.

Edhe Besa Gaxherri u çudit me planifikimin e mjeteve për zgjedhjet.

“Kur i analizon mirë të gjithë gjërat buxhetore, përsëriten gjanat ose na s’po i kuptojmë mirë. Zgjedhjet komunale nuk parashikohen në 3 mujorin e parë- 25 mije euro,” tha Gaxherri.

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së Mentor Shala arsyetoi planifikimin e mjeteve për zgjedhjet që pritet të mbahen në nëntor.

“Për zgjedhjet komunale bëhet ndarja proporcionale, bëhet nga totali,” tha në komision Mentor Shala.

Anëtarët e komisionit patën edhe vërejtje tjera.

Shqipe Pantina kritikoi planifikimin e shpenzimeve të RTK-së për karburant dhe telefona.

“Gjithë këtë telefon, gjithë këtë karburant, gjithë këta korrespodentë dhe në te njëjtën kohë bleni lajme prej agjencive? Shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe të pajustifikueshme për atë qe ju ofroni si televizion,” tha Pantina, duke pyetur edhe pse RTK-ja ka gjithë këta punëtorë.

RTK-ja në planin e dorëzuar për periudhën janar-mars 2017 planifikon shpenzimin e 21 mijë eurove për mbushje telefonike dhe 50 mijë eurove për udhëtime jashtë vendit.

Shpenzimet Mentor Shala i arsyetoi me rritjen e RTK-së dhe  nevojën për përditësim të teknikës së transmetimit dhe punës.

Por Enver Hoti kërkoi komision hetimor për RTK-në.

“Të funksionalizohet komisioni hetimor per RTK-në, t’i qasemi punës. Për të shikuar gjendjen edhe ma fell. Asnjëherë nuk kemi mujt me gjet përgjigje adekuate në formën e funksionimit të RTK-së, “ tha Hoti.

Ndërsa Safete Hadërgjonaj kërkoi korrektësi nga RTK-ja.

“Nëse kalon ky plan për këtë 3 mujor, në 3 mujorin tjetër [plani] të vijë më i detajizuar, dhe raporti sa janë shpenzu nga i pari. Pres të jeni më korrekt në raportime dhe planifikime” tha Hadërgjonaj.

Formimi i një komisioni hetimor për RTK-në ishte kërkuar nga “Vetëvendosja”, ndërsa nuk ishte përkrahur nga partitë në pushtet, kurse partitë opozitare i kishin propozuar emrat e deputetëve për të.

Komisioni për Buxhet e Financa, edhe pse e kritikoi planifikimin e shpenzimeve, me shumicë votash miratoi ndarjen e 2 milionë e 750 mijë eurove për RTK-në nga buxheti i shtetit.

Kundër votuan Shqipe Pantina, Enver Hoti dhe Labinota Demi-Murtezi.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë