Loading…

Rugova mes realistit dhe romantikut

  • Nga

  • FITIM SALIHU

  • 21/01/2020 | 16:09

Rugova mes realistit dhe romantikut

Për shumëkë, Ibrahim Rugova ka qenë një romantik i pandreqshëm. Obsesionimi i tij pas simbolikash e bënte të veten – qeni i Sharrit, flamuri dardan, darka e Lamës, e kështu me radhë. Hermeneutika e tij ideopolitike pasqyrohej dhe ndërmjetësohej nëpërmes kësaj ikonografie politike-identitare. Në thelb të saj ishte ideja e një Kosove të mëvetme. Jo vetëm politikisht e administrativisht, por edhe kulturalisht e sociologjikisht.


Shkruan Fitim Salihu 

Por, ekziston njashtu edhe ai Rugova tjetër. Rugova i shkëputur nga etosi patetik i diskursit simbolikocentrik. Ekzistonte edhe Rugova me këmbë në tokë. Rugova modest. Modest ndaj vetes dhe ambientit e proceseve që e rrethonin.

Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmich kanë botuar në vitin 1994 në Francë librin “La question du Kosovo” në formë intervistash me Ibrahim Rugovën. Pa dyshim që kjo është ndër intervistat e tij të parapëlqyera për mua.

Ndër të tjera, këtu del në pah Rugova modest me veten. Duke qenë djali dhe nipi i dy të pushkatuarve për arsye politike, ai e pranon edhe vetë se u detyrua ta mbante një profil të ulët në publik. Tekqë flet për demonstratat e vitit 1968, pa u orvatur që të merrte merita që s’i takojnë, Rugova realist thotë se prejardhja e tij shoqërore e shtyri të kish kujdes të shtuar. Ndonëse e pranon se mori pjesë, ai thotë se nuk qe organizator i tyre.

Ndërsa, sa i përket demonstratave të vitit 1981, Rugova tregon se asokohe ai ishte duke e përfunduar monografinë për Pjetër Bogdanin. “Ekzistojnë dy rrugë për intelektualin: të qëndrosh në mes të librave ose të përfshihesh në veprim… Për mua rruga e parë është kompensim për veprimin,” thotë ai, pa tundime heroizimi, me një përshkrim realist për vetveten dhe reagimin e tij ndaj ambientit e proceseve që e rrethojnë.

“Në shkollë jam regjistruar në moshën nëntë vjeçare, e jo në atë shtatë vjeçare, sepse deri atëherë isha ‘djali i nënës’, i përkdheluri, dhe kam vazhduar që ta shoh botën rreth meje në këtë mënyrë”, thotë ndër të tjerash ai, mësa vazhdon të flet për veten dhe kur ndalet tek lojërat e fëmijërisë ai poashtu tregon se ishte një fëmijë i tërhequr në botën e tij që nuk lozte shumë me bashkëmoshatarët.

Por, Rugova nuk ka qenë realist vetëm kundruall vetvetes. Ai shumëherë ish i tillë edhe kundruall proceseve ku merrte pjesë ose të cilat i udhëheqte.

Në vjeshtën e vitit 2005 ai udhëhoqi Grupin Negociator të Kosovës për bisedimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës. Në njërin nga takimet e para të “Ekipit të Unitetit”, siç njihej ky grup, në tetor 2005 Rugova thotë se vetë pavarësia e Kosovës është kompromis historik për shqiptarët, për sa kohë që nuk kërkojnë bashkim me Shqipërinë.

Ajo që bie në sy në këtë deklaratë është se kjo fjali po thuhej prej vetë babait të idesë së një Kosove të pavarur. Manum propria Ibrahim Rugova po thoshte se pavarësia e Kosovës nuk ishte ëndrra, por zhgjëndrra shqiptare. Përmes kësaj deklarate, flet Rugova realisti por pa e fshehur romantikun brenda tij.

Në fakt, vetë ideja e Kosovës së pavarur ishte e huaj për shqiptarët e Kosovës. Që të gjitha lëvizjet kombëtare, prej Rilindjes e deri tek organizatat ilegale të viteve ’80, si cak të fundëm kishin bashkimin kombëtar. Semantika politike shqiptare në Kosovë nuk njihte rrugë të ndërmjetme mes të ngelurit brenda Serbisë/Jugosllavisë dhe të bashkuarit me Shqipërinë.

Madje edhe vetë nomenklatura komuniste kosovare e kishte kundërshtuar tërthorazi idenë e një subjektiviteti politik e etnik kosovar të mëvetëm kundrejt Shqipërisë. Teksa kushti për marrjen e statusit të republikës brenda RSFJ-së ishte të qenit komb më vete – dhe jo kombësi, minoritet me një shtet tjetër amë  – udhëheqja politike kosovare instoi se shqiptarët e Jugosllavisë i takonin trungut të kombit shqiptar.

Por, për t’u larguar nga digresioni, thelbi i kësaj deklarate të lartcekur të Rugovës është dykuptimësia e saj. Ajo në vete ngërthen edhe vokalin realist se Kosova nuk mund të bashkohej me Shqipërinë, por edhe vokalin romantik ku Kosova e pavarur njihet si kompromis historik dhe për rrjedhojë nuk përjashtohej të ish edhe rrugë e ndërmjetme. Kësodore, Rugova përdorte realistin brenda tij për të arritur caqet e romantikut brenda tij.

Krejt për fund, Rugova është vështirë të kapërthehet me një shkrim të shkurtër. Ai ka qenë një figurë poliedrike dhe si i tillë meriton studim më të rryer. Për më tepër, vështirë të flitet për Rugovën politikanin me një ton.

Rugova i viteve 1989-1995 pati shumë merita në rreshtimin e drejtë gjeopolitik të shqiptarëve. Për ta ilustruar këtë duhet ta shohim anën tjetër të medaljes; për ta parë sa drejt u rreshtuam duhet parë se ç’i gjeti ata që u rreshtuan gabimisht. Sikur pa e njohur skamjen, disi nuk e përjeton kamjen. Mjafton ta shohim popullin kurd, rezistencën e të cilëve e udhëhoqi PKK-ja e Oxhallanit, për ta kuptuar se thelbi ideologjik i pakohë dhe orientimi gjeopolitik i gabuar mund të të ndëshkojnë edhe në qe se e ke kauzën më të drejtë në rruzullin tokësor.

Por, pa dyshim që Rugova i pas-Dejtonit meriton një vështrim më kritik, sidomos me deklaratat e tij irrituese dhe destruktive për lëvizjen studentore të 1997-s dhe posaçërisht për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fillet e saj. Duket sikur Rugova fëmijë që mbyllej në vete dhe nuk lozte me bashkëmoshatarët nuk ishte plakur asnjëherë. Edhe në fundvitet ’90 ai ish mbyllur, ishte izoluar nga realiteti dhe nuk po e ndjente pulsin e vlimit të kërkesave për luftë të armatosur çlirimtare.

Njëherazi ekziston edhe Rugova i tretë, Rugova i viteve 2000-2005 kur pati njëmendësisht pushtet real. Përkundër që në vazhdimësi shënonte fitore pothuajse plebishitare, Rugova ngriti një parti, dhe më pas qeveri, me funksionarë e praktika të korruptuara, ku mosdija dhe nepotizmi, korrupsioni e keqqeverisja, u kthyen në modus operandi. Duket sikur politikani realist kishte ngadhënjyer mbi intelektualin romantik.

(Autori është politolog dhe  merret me studimin e Politikave Krahasuese dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Ky artikull është shkruar enkas për Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë