Mungesa e kryeministrit Isa Mustafa, gjatë ditës së sotme sa i përket dorëzimit të Projektligjit për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), ka bërë që të ketë reagime se kryeministri është anashkaluar.
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po ndjehet e anashkaluar në këtë proces.
Madje shprehen të sigurt se kjo çështje nuk ndikon aspak në raportet e tyre si partner koalicioni, por që theksojnë se trasformimin e FSK-së në Ushtri nuk po e bën Partia Demokratike e Kosovës por institucionet e vendit.
Nënkryetari i LDK-së Haki Rugova tha të martën për Express se nuk ka rëndësi kush e dërgon projektligjin për ushtrinë, e rëndësishme sipas tij, është vetëm formimi i saj.
“Ushtrinë nuk e formon PDK-ja e as LDK-ja por atë e formojnë institucionet e Kosovës. Nuk ka rëndësi se kush e ka dorëzuar projektligjin për ushtrinë, ata që janë akterë kryesor për këtë çështje edhe e kanë dorëzuar” u shpreh Rugova.
LDK siç bëri të ditur ai, nuk ndjehet keq për këtë çështje, por mjafton që siç tha nënkryetari i LDK-së Haki Rugova, FSK të transformohet në ushtri.
Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është paraparë që prej më shumë se dy vjetësh, por ajo nuk mundi të krijohej pa ndryshimet Kushtetuese që kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve. Kujtojmë se Lista Serbe ka qenë pengesa kryesore drejt formimit të ushtrisë.