Loading…

Rusët dogjën kufomat e ushtarëve në deponi të mbeturinave në Kherson

  • 22/11/2022 | 12:19

Rusët dogjën kufomat e ushtarëve në deponi të mbeturinave në Kherson

Flamujt, uniformat dhe helmetat ruse mund të shihen në mbeturina në deponinë që gjendet në Kherson, ku qentë endacakë qarkullojnë në masë të madhe rreth tyre.


Kjo deponi para pushtimit ka qenë vend për depozitimin e mbeturinave, e banorët e Khersonit thonë se forcat ruse këtë verë e shndërruan në një zonë ku ndalohet qasja e civilëve

Banorët e atjeshëm thonë se kanë parë kamionët rusë që në deponi po hedhin thasë të zi, që më pas janë djegur. E kjo ka bërë që në ajër të ngritet tym i zi dhe të kundërmojë era e kufomave të djegura.

Besohet se në ata thasë të zi kanë qenë kufomat e ushtarëve rusë, që janë vrarë gjatë luftimeve të ashpra kundër forcave ukrainase.

“Sa herë që ushtria jonë ka goditur rusët, ata kanë sjellë kufomat e tyre në deponi dhe i kanë djegur”, tha 40-vjeçarja nga Khersoni.

Kundërmimi u ndie kur forcat ukrainase filluan të avancojnë

Në fund të korrikut, Ukraina mori sistemin raketor amerikan HIMARS me rreze të mesme veprimi, duke tentuar të rikthejnë rajonet në jug të Ukrainës.

Sistemin raketor HIMARS ukrainasit i përdorën mirë, duke shkatërruar urat mbi lumin Dnipro, depot ruse të municioneve dhe goditën artilerinë dhe forcat e armikut.

Banorët e atjeshëm thonë se në atë periudhë filluan të dyshonin se deponia po përdorej për qëllime tjera.

Këto pretendime aktualisht janë të pamundura për t’u verifikuar, dhe autoritetet ukrainase nuk kanë pranuar të komentojnë nëse po i hetojnë ato. Pesë ditë pas çlirimit të Khersonit, gazetarët e Guardian në shoqërimin e banorëve të këtij qyteti, vizituan këtë depo mbeturinash.

Thjesht i shkarkuan dhe i mbuluan me një grumbull mbeturinash

“Rusët sollën një kamion plot me mbeturina dhe kufoma, dhe i hodhën të gjithë së bashku në deponi”, tha një grumbullues mbeturinash nga Khersoni, i cili dëshironte të mbetej anonim.

“Menduam se do t’i varrosnin? Thjesht i shkarkuan dhe i mbuluan me një grumbull mbeturinash, kaq”, shtoi ai.

Gjithashtu ky burrë theksoi se nuk ka arritur të shoh nëse bëhet fjalë për civilë apo ushtarë.

“Nuk pashë, por mendoj se tashmë kam thënë mjaft. Nuk po frikësohem, kam qenë në luftë që nga viti 2014 në Donbas. Por siç thonë sa më pak që di aq më mirë fle natën”, përfundoi ai.

E për shumë banorë që për muaj të tërë jetuan nën okupimin rusë që nuk toleronin çfarëdo kundërshtimi, thonë se frika tek ata është akoma prezentë.

“Nuk kemi mundur t’i afrohemi deponisë”

Svitlana Viktorivna, një grua 45-vjeçare që sillte mbeturina në deponi së bashku me bashkëshortin e saj Oleksandr, thotë se rusët vendosën postblloqe në hyrje të deponisë.

“Nuk arritëm t’i afroheshim deponisë ku po digjnin kufomat, do t’ju ​​tregoj si dukej: erdhën këtu, vendosën rojet dhe filluan t’i djegin kufomat. Një ditë erdhëm unë dhe burri im në një moment të gabuar, derisa ata po digjnin trupat. Burri im u godit me shkop në fytyrë. Nuk i kam parë mbetjet e trupit, mendoj se i kanë varrosur”, shtoi ajo.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka pranuar se 6 mijë ushtarë rusë vdiqën në luftë, por Pentagoni vlerësoi në fund të verës, se rreth 80 mijë ushtarë rusë janë vrarë ose u plagosur.

Trupat janë djegur në pjesën më të izoluar të deponisë

Punëtorët në deponi thonë se rusët zgjodhën pjesën më të izoluar të deponisë për të djegur trupat. Nuk ishte e mundur të vizitohej ajo pjesë për arsye sigurie. Ata thonë se nuk mund të përjashtohet mundësia që rusët ta kenë minuar atë pjesë, apo të kenë lënë mjete shpërthyese në të.

“Kam dëgjuar histori të ndryshme, por nuk shkova aq larg me kamionin tim. Mund t’ju garantoj se çfarëdo që bënin atje, kishte erë të tmerrshme, si mishi i kalbur. Dhe tymi, tymi ishte i trashë”, tha shoferi i kamionit.

Banorët e pallatit pranë deponisë thonë se sa herë që rusët ndiznin zjarrin, një re e madhe tymi të zi ngrihej në qiell dhe ajri mbushej me një erë të keqe të padurueshme kalbjeje, që e bënte të vështirë frymëmarrjen.

“Kur ndjeva erën e tymit, ndihesha shumë keq”, tha 60-vjeçarja Olesia Kokorina, e cila jeton në katin e tetë të pallatit.

“Ishte e tmerrshme, kishte erë si flokët e djegura, apo era që merrni kur dentisti gërryen dhëmbin tuaj para se të vendosë një mbushje. Tymi ishte aq i trashë sa nuk mund të shihje ndërtesën fqinje”, shtoi ajo.

“Kurrë nuk kam ndjerë diçka të tillë. Kishte shumë kamionë dhe të gjithë ishin plot me thasë. Nuk e di se çfarë kishte në ta, por era e tymit nga deponia ishte aq e fortë sa nuk mundnim të hapnim derën e ballkonit. Ndonjëherë nuk mund të merrje dot frymë nga tymi”, tha një fqinje tjetër, Natalia, 65-vjeçe.

Autoriteteve ukrainase nuk u interesojnë kufomat e forcave pushtuese

Disa besojnë se djegia e trupave të ushtarëve të tyre ishte mënyra më e lehtë për të asgjësuar trupat, pasi urat mbi Dnipro u shkatërruan. Dhjetëra banorë të Khersonit kanë raportuar dyshimet e tyre, por autoritetet ukrainase nuk janë përgjigjur ende.

“Nuk jemi të interesuar për vendet ku janë varrosur kundërshtarët. Ajo që na intereson është gjetja e trupave të ukrainasve, të cilët u torturuan, u vranë dhe u hodhën në varre masive në të gjithë Khersonin”, tha një zyrtar lokal që kërkoi të mbetet anonim.

Shërbimet e sigurisë ukrainase besojnë se forcat ruse po i asgjësojnë trupat në këtë mënyrë, në përpjekje për të mbuluar humbjet në luftë.

“Bjeshkët e kufomave janë 2 metra të larta”

Një ushtar rus tha në një telefonatë të përgjuar në maj, se shokët e tij u hodhën “në grumbuj sa një person mesatar” pak jashtë Donetskut.

“Ka aq shumë Carga, 200 (kodi ushtarak për ushtarët e vdekur) sa që malet e kufomave janë dy metra të larta. Nuk është morg, është një deponi, është e madhe”, shtoi ai.

“Ata thjesht i hedhin atje. Pas kësaj, është më e lehtë të pretendosh se janë zhdukur. Më e lehtë të pretendosh se sapo janë zhdukur”, tha një tjetër ushtar gjatë një bisede telefonike.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë