Përveç Serbisë, natyrisht që edhe Rusisë i pengon themelimi i Ushtrisë së Kosovës. Këtë e ka përsëritur edhe një herë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova.
Në konferencë për media, Zaharova theksoi se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Vlerësojmë se transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës në ushtri të vërtetë të Kosovës, pavarësisht qëndrimit të Beogradit dhe serbëve të Kosovës, paraqet hap absolutisht të papërgjegjshëm. Për më tepër, ai është edhe i rrezikshëm për Ballkanin dhe gjithë kontinentin evropian”, ka thënë Zaharova.
Për më tepër, kujtojmë se nisma e Presidentit Hashim Thaçi për projektligjin që bën transformimin e FSK’së në Ushtri nuk ka hasur mirëkuptimin as të Amerikës e as të Aleancës Ushtarake, NATO. /gazetametro.net