Rusia mund të ndalojë plotësisht furnizimin me gaz në Europë me synimin për të forcuar pozicionin e saj politik për shkak të krizës me Ukrainën, tha kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IAE), Faith Birol, duke shtuar se Europa duhet të përgatitet urgjentisht, transmeton Gazeta Metro.
“Unë nuk do të përjashtoja mundësinë që Rusia të gjejë herë pas here justifikime për pezullimin e mëtejshëm të furnizimeve me gaz në Europë dhe madje mund ta ndalojë atë krejtësisht,” tha për Reuters drejtori ekzekutiv i IEA.
“Evropa duhet të dalë me një plan për këtë gjendje të jashtëzakonshme,” shtoi tutje Birol, duke shtuar se shkurtimi i fundit i dërgesave ishte një përpjekje e mundshme për të fituar një avantazh politik përpara muajve të dimrit kur shpenzimet janë më të larta.
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj naftës dhe qymyrit rus, por për shkak të varësisë së tij të madhe nga gazi nga Moska, nuk e ka pezulluar plotësisht importin e gazit.
Investime rekord në energjinë e rinovueshme
Sa i përket investimeve në energji në vitin 2022, në raportin e IEA thuhet se në këtë sektor do të investohen 2.4 trilion dollarë, ku përfshihen investime rekord në energjinë e rinovueshme. Por ata gjithashtu shtojnë se ajo nuk ka arritur të plotësojë boshllëkun e furnizimit dhe të trajtojë ndryshimet klimatike.
Investimet janë rritur 8% nga viti i kaluar, kur pandemia ishte ende aktive, dhe përfshin investime rekord në sektorin e energjisë elektrike në përpjekje për të rritur efikasitetin e energjisë, sipas një raporti vjetor të investimeve të publikuar të mërkurën e kaluar, shkruan AJB.
Investimi në naftë dhe gaz, përveçse është në kundërshtim me objektivat e neutralitetit klimatik, nuk do të jetë në gjendje të plotësojë kërkesën nëse sistemet e energjisë nuk rizhvillohen për nevoja më të pastra të energjisë, thuhet në raport.
“Konsumimi i sotëm i naftës dhe gazit është midis dy versioneve të së ardhmes: është shumë i lartë për të përmbushur qëllimin e kufizimit të ngrohjes globale në 1.5 gradë Celsius, por jo mjaftueshëm i lartë për të përmbushur nevojat nëse autoritetet vendosin të vazhdojnë politikën aktuale dhe humbasin mundësinë për të përmbushur angazhimet, në lidhje me ndryshimet klimatike që ata janë angazhuar”, thuhet në raportin e kësaj agjencie./gazetametro.net