Loading…

Sa do t’i ndihmojë studentët heqja e pagesës për studime në universitete publike?

  • 24/07/2021 | 09:01

Sa do t’i ndihmojë studentët heqja e pagesës për studime në universitete publike?

Heqja e pagesës për studentë në universitete publike, nuk ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së studimeve, e as në heqjen e barrës së shpenzimeve për studentë, thonë njohësit e çështjeve të arsimit,


Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare “Admovere”, Aulonë Memeti, thotë se më me rëndësi janë reformat në arsim, pasi sipas saj me heqjen e tarifës vetëm rritet numri i studentëve analfabetë funksional sepse nuk ka cilësi në studime.

“Argumenti kryesor që kërkojnë për shkollimin universitar është argumenti i barazisë. Megjithatë unë mendoj se problemi duhet me u shtjellua ndryshe, ndoshta duhet te profilizimi i studentëve që nga shkolla e mesme dhe fillore. Ndoshta jo të gjithë janë për universitet ne dhe ashtu prodhojmë analfabetë funksional me diplomë fatkeqësisht dhe mendoj që ka ardhur koha për një qeveri që ta trajtojë këtë më ndryshe, mos me u marr me deklarata që janë shume populliste, siç është kjo arsimi i lartë pa pagesë, pasi në fund të fundit nuk është tarifë e lartë, por është më rëndësi me bë reforma të thella në arsimin e lartë, kjo nuk është aspak populiste, pasi kjo i hup qeverisë vota. Prandaj është shumë e rëndësishme që problemi të preket të cilësia”.

Tutje, Memeti thotë që duhet të bëhet ndarja e bursave me shuma më të dinjitetshme.

“Kur flasim për arsim të lartë pa pagesë nuk ka asgjë pa pagesë siç e dimë dikush ka me pagua. Kush ka me pagua? qytetarët, kështu që unë jam unë me u fokusua të cilësia e arsimit dhe po ashtu me pasë bursa. Dy lloje të bursave, bursa që u jepen studentëve të dalluar dhe bursa në bazë të nevojës për studentët që nuk i kanë kushtet me shku në universitet. Është shumë ma mirë me pasë bursa të dinjitetshme, dhe po ashtu me pasë prestigj kryerja e studimeve, me ditë që studenti që e ka përfunduar ta ketë njëfarë krenari. Nëse vazhdojmë kështu, kemi me rrit numrin e studentëve të cilët regjistrohen në universitete dhe vazhdojnë të bëhen analfabetë funksional…Unë mendoj që është shumë e nevojshme me u fokusua në krijimin e shkollave profesionale, edhe me u bo profilizimi edhe ndarja në shkollë fillore dhe pastaj në shkollën e mesme… Shumë studentë që e kryejnë studimet ende nuk e dinë dallimin në mes të trajtës së shquar dhe pashquar të emrit të vet, kjo është e tmerrshme. Prandaj mendoj që debati duhet të kthehet krejt tjetër kah”.

Drejtori i instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja, thotë se shkollimi universitar është i mirëpritur, mirëpo nuk do të ndikojë në përmirësimin e situatës ekonomike të studentëve.

Po ashtu, edhe Qehaja thotë se përkushtimi i pushtetit ekzekutiv duhet të jetë në dhënien e bursave.

“Shkollimi universitar falas vlerësoj se është i mirëpritur nga kushdo i përfshi si studente, paraqet një politikë të kamotshme të partisë në pushtet, shpresoj që të mund të kontribuoj në mirëqenien socio-ekonomike të studentëve”.

Tutje, ai e sheh si padrejtësi përkrahjen e studentëve në universitete publike dhe jo edhe atyre në private.

“Ne nuk vlerësojmë se pagesa e semestrit është ndonjë ndihmues në vazhdim të studimeve ose në performancë të studentëve për shkak se është relativisht e vogël në krahasim me plotë shpenzime tjera që përbëjnë jetën akademike të një studenti, përfshi këtu literaturën, pagesën e qirasë dhe shumëçka tjetër. Signifikanca e kësaj pagese është shumë e vogël në krahasim me gjithçka tjetër. Ne vlerësojmë që përkushtimi institucional duhet të jetë në përkrahje në formë të bursave, duhet të nxiten studentët më të mirë për një performancë më të mirë të studimeve dhe për përfundim të tyre. Ne po harrojmë që një numër i madh i studentëve ndërpresin studimet sepse nuk janë të nxitur për përfundim të studimeve. Ne vlerësojmë se pagesat falas si politikë sociale duhet të jetë një njëjtë për të gjithë pa përjashtim të studimeve në universitete publike dhe atyre private, si e tillë ne e perceptojmë si një padrejtësi ndaj studentëve që studiojnë në privat dhe një përkrahje për ata të publikut”.

Ndërsa, aktivistja në organizatën “Studim, kritikë, veprim”, Dea Lala, tha se janë mirënjohëse Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për realizimin e kërkesës së tyre për studime falas.

Sipas, studentes në fakultetin e Bujqësisë, presin nga MAShTI edhe lehtësime të tjera sa i përket anës financiare.

“Siç e dimë arsimi publik falas është një ndër kërkesat e kamotshme të studentëve të universiteti të Prishtinës. Kërkesë kjo që është një nder prioritet tona kryesore. Kësaj kërkese nuk iu janë përgjigjur qeveritë e kaluara dhe i jemi mirënjohëse që ministria e Arsimit i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese. Kjo nuk është kërkesa e fundit, ne do t’i adresojmë ndaj Qeverisë për rritjen e cilësisë në arsim”.

“Çdo ndihmës si heqja e tarifave për literaturën, është ndihmesë e madhe, përpos që është një e drejtë kushtetuese, mendoj që është për shkak të gjendjes financiare që e kanë shumica e studentëve do të kishte qenë ndihmë shumë e madhe”, u shpreh Lala për EO.

Sipas llogarisë së Ministrisë, shtatë universitetet publike në Kosovë, nga pagesat e studentëve përfitojnë rreth 1.6 milion euro në vit.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka filluar diskutimet për heqjen e pagesës për studentë në universitete publike.

“Ideja është që studentët e nivelit Bachelor dhe Master të lirohen nga këto pagesa me rastin e regjistrimit të semestrit për herë të parë. Në këtë mënyrë, të gjithë vihen në pozitë të barabartë dhe, njëkohësisht, nxiten që t’i kryejnë me kohë obligimet e tyre në mënyrë që të mos shpenzojnë kot për përsëritje të panevojshme të semestrave. Jemi duke analizuar mundësinë që edhe studentët e doktoratës t’i lirojmë nga disa pagesa që nuk janë në konformitet me praktikat ndërkombëtare dhe rajonale. Kur bëhet fjalë për pagesat administrative (aplikimi me rastin e regjistrimit në Universitet, lëshimi i dokumenteve duplikat, ndërrimi i programit të studimeve, etj.) ato mbeten sepse bëjnë pjesë në kategorinë e shërbimeve që nuk kanë një dinamikë të përcaktuar dhe mund të kërkohen disa herë. Besojmë se gjatë muajit gusht drafti i Udhëzimit Administrativ të rishikuar do të del në konsultim publik me ç’ rast mirëpresim kontributin tuaj përmes platformës qeveritare të konsultimeve publike”,

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë