Loading…

‘Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj Asociacionit, aq më afër është ideja serbe për të’

  • 04/08/2022 | 13:44

‘Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj Asociacionit, aq më afër është ideja serbe për të’

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, prandaj Qeveria aktuale duhet të hartojë një draft-statut për të, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.


“Sa më shumë të shtyhet rezistenca ndaj formimit të Asociacionit, ne aq më afër i afrohemi idesë serbe për Asociacionin si autonomi politike-territoriale, si Republika Sërpska ose si bashkësi politike e serbëve lokalë, që del prej rendit kushtetues të Kosovës. Sa më shumë të vonohet, ne i afrohemi idesë serbe”, thotë Hasani.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia më 2013 arritën Marrëveshjen për Asociacionin. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e Asociacionit. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese gjeti se disa pika nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Hasani thotë se Asociacioni si koncept nuk ka përmbajtje, por është vetëm një dokument me parime, të cilat nuk mund të zbatohen si dispozita, për shkak se ato nuk janë të vetë-ekzekutueshme. Prandaj, sipas tij, Kosova duhet t’i qaset dhe të insistojë edhe në krijimin e statutit për Asociacionin, sipas mundësive që i jep vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese.

Serbia insiston që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Por, Hasani thotë se insistimi serb për Asociacion me kompetenca ekzekutive nuk shpjegon asgjë, pasi sipas tij, komunat aktuale, përfshirë edhe ato me shumicë serbe, kanë mjaft kompetenca ekzekutive.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës] nuk është marrë me kompetencat ekzekutive ose jo, por vetëm ka treguar që natyra e Asociacionit, siç është propozuar [më 2013], siç është operacionalizuar më 2015, bie ndesh me Kushtetutën ekzistuese. E keqja e kësaj Qeverie [të Kosovës], ashtu sikurse edhe të gjitha tjerave, është se nuk i dalin përballë Asociacionit, ta bëjnë një draft për të dhe të diskutojnë. Ata duhet të ulen, ta bëjnë një draft dhe të thonë ‘kjo është pozita jonë për këtë çështje’, ta zbatojnë dhe të thonë ‘kjo është kështu edhe pikë’”, vlerëson Hasani.

BE-ja vazhdimisht përsërit qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë të Asociacionit. Kërkesë të njëjtë kanë edhe Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të vitit, përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë në Prishtinë se Kosova është e obliguar t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk i imponon zgjidhjet lidhur me mosmarrëveshjet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por se të dyja palët duhet të merren vesh vetë.

Nga Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjes së REL-it pse heziton ose refuzon të nisë procesin Asociacionin, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të iniciojë hartimin e statutit të Asociacionit në përputhje me vendimin e Kushtetueses.

Megjithatë, më 2018, Qeveria që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, kishte bërë hapa drejt formimit të Asociacionit.

Bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel, për hartimin e statutit për Asociacionin u angazhua një ekip menaxhues i përbërë prej katër zyrtarëve serbë. Ky ekip kishte afat deri më 4 gusht të vitit 2018 që të dërgonte në Bruksel draftin e parë të statutit për Asociacion.

Në atë kohë, autoritetet në Prishtinë thanë se nuk kanë pranuar një draft të tillë dhe se nuk kishin informacione nëse ky dokument i ishte dorëzuar BE-së.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit në Qeveri të Kosovë kishte dorëzuar vetëm procesverbalet. Përmes këtyre procesverbaleve, ky ekip e ka pasur për detyrë ta njoftojë Qeverinë për procesin e hartimit të statutit.

As nga blloku evropian asnjëherë nuk e kanë pohuar apo mohuar se e kanë pranuar këtë propozim-dokument.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar së fundmi Bashkimit Evropian me pyetjen se a ka pranuar draft-statutin e Asociacionit nga ekipi menaxhues që ka pasur për detyrë hartimin e tij.

Por, zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, thotë se “në përgjithësi, ne kurrë nuk komentojmë në publik asnjë detaj të proceseve apo ndërveprimeve në vazhdim, që lidhen me angazhimin tonë me partnerët për ndonjë nga çështjet në agjendën tonë të përbashkët”.

“ E njëjta gjë vlen edhe për dialogun Beograd-Prishtinë”, thotë Stano.

Përderisa autoritetet në Serbi thonë se formimi i Asociacionit është kyç për mbijetesën e serbëve, disa qytetarë serbë në Kosovë, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk e dinë cila është rëndësia për ta. Rrjedhimisht, ata shprehen se nuk kanë informacione se çfarë autorizimesh do të kishte Asociacioni dhe në cilat fusha.

Zoran Staniq nga Mitrovica e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – thotë se në bazë të asaj që ka kuptuar nga mediat, Asociacioni do të ketë formën e një organizate joqeveritare dhe do të merret me çështje komunale. Por, do të jetë pa kompetenca ekzekutive dhe, sipas tij, nuk do të ketë shumë rëndësi për qytetarët serbë.

“Nuk besoj. Përderisa funksionon sipas ligjeve të Kosovës dhe nuk ka kompetenca ekzekutive, është përtej çdo arsyeje që të ketë ndonjë rëndësi të veçantë për serbët. Mendoj se po luhet një lojë mjaft e ndyrë me marrëveshje ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare“, thotë Staniq.

KËTU mund ta lexoni artikullin e plotë.

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë